Administrata e Trumpit dëbon venezuelas pavarësisht nga urdhri i gjykatës
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka dëbuar anëtarë të dyshuar të një bande venezuelase nga Shtetet e Bashkuara pavarësisht një urdhri gjykate me të cilën i ndalohej një veprim i tillë, duke thënë në një deklaratë të jashtëzakonshme se një gjykatës nuk kishte autoritet për t’i bllokuar veprimet e saj.
Operacioni për dëbim erdhi pas një vendimi nga gjykatësi James Boasberg për ta bllokuar shfrytëzimin e kompetencave nga Trumpi sipas Aktit të Armiqve të Jashtëm për të dëbuar shpejt më shumë se 200 anëtarë të dyshuar të bandës venezuelase “Tren de Aragua”, e cila është lidhur me rrëmbime, zhvatje e vrasje të kontraktuara, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Një gjykatës i vetëm në një distrikt të vetëm nuk mund t’i drejtojë lëvizjet e një aeroplani... plot me terroristë të huaj që u dëbuan fizikisht nga toka e ShBA-së” – tha në një deklaratë sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Ajo shtoi se gjykata “nuk kishte bazë ligjore” dhe se gjykatat federale përgjithësisht nuk kanë juridiksion mbi atë se si një president i kryen punët e jashtme.
Rrjedhja e ngjarjeve përfaqëson eskalim domethënës në sfidimin e sistemit të kontrolleve dhe baraspeshave të Kushtetutës dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor nga presidenti Trump.
Kur u pyet nëse administrata e tij e kishte shkelur urdhrin e gjykatës, kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke iu referuar personave të dëbuar, tha: “Mund t’jua them këtë: këta ishin njerëz të këqij”.
Në një seancë të mbajtur të shtunën në mbrëmje, gjykatësi Boasberg e bllokoi shfrytëzimin e Aktit të Armiqve të Jashtëm për 14 ditë, duke thënë se statuti u referohet “akteve armiqësore” të kryera nga një shtet tjetër që janë “të krahasueshme me luftën”.
Trumpi tha se atij i justifikohet shfrytëzimi i këtij akti, sepse ai ka parë rritje të numrit të emigrantëve viteve të fundit në mënyrë të ngjashme me luftën.
“Kjo është luftë. Në shumë aspekte është më e rrezikshme se lufta, sepse, ju e dini, në një luftë ata kanë uniforma. Ju e dini se në drejtim të kujt po qëlloni me armë, ju e dini kujt i jeni vënë pas” – deklaroi presidenti amerikan.
Gjykatësi Boasberg tha gjatë seancës se të gjithë aeroplanët që bartin emigrantë të trajtuar sipas këtij ligji duhet të kthehen në ShBA./Nacionale