Acari i madh në Finlandë e ngrin ujin e valuar të hedhur në ajër
Temperaturat rekorde të ulëta këtë javë në Finlandë frymëzuan një turist që po shëtitet nëpër Arktik që të provonte një metodë që e kishte tërhequr moti: hedhjen e ujit të valuar në ajër, kur jashtë është shumë ftohtë, dhe shikimin e shndërrimit të tij në pluhur të menjëhershëm akulli.
Kjo taktikë nuk duhet të provohet, nëse temperaturat nuk janë në nivelin e acarit që shumica e vendeve në Tokë nuk e përjetojnë kurrë ose e përjetojnë shumë rrallë, raporton agjencia “Reuters”.
Lauri Untamo, menaxher 49-vjeçar i shitjeve nga jugu i Finlandës, ishte për pushime në Laplandin finlandez me miqtë, kur temperatura ra në -30 gradë Celsius ditën e Vitit të Ri.
“Kisha parë video të kësaj metode në rrjete sociale ose në “YouTube” që ishte e mundshme të kryhej, por kurrë nuk kisha pasur acar të përshtatshëm për ta provuar në -30 gradë ose më shumë”- tha Untamo.
Ai shtoi se e valoi ujin në kabinën e tij, e nxori atë shpejtë jashtë dhe e hodhi në hark mbi kokën e vet – duke i mbijetuar përpjekjes pa djegie, ndërsa uji menjëherë u shndërrua në re akulli që u largua.
Vendet e Evropës Veriore janë ballafaquar me acar ekstrem ditëve të fundit. Të premten u regjistrua temperatura më e ulët në 25 vitet e fundit - -43 gradë – në Enontekio.
Pavarësisht nga moti i akullt, Untamo dhe miqtë e tij i kanë shijuar aktivitetet në natyrë si skijimi nordik dhe ecja në pyjet e mbuluara me borë.