Acar i madh në Kinë, temperatura pritet të bjerë në -40 gradë
Një valë e të ftohtit po vazhdon të premten në Kinë. Temperaturat kanë rënë nën zero në pjesën më të madhe të vendit, duke i nxitur autoritetet që ta kufizojnë qarkullimin nëpër autostrada në disa province pas aksidenteve në rrugë me akull.
Sipas parashikimit të Qendrës Kombëtare Meteorologjike të Kinës, temperaturat do të bien nën -40 gradë Celsius në disa pjesë të provincës verilindore, Heilongjiang, dhe në rajonin veriperëndimor, Xinjiang, por edhe në Mongoli të Brendshme, Gansu e Qinghai, raporton agjencia “Reuters”.
Vala e acarit, që nisi në fillim të kësaj jave, është duke lëvizur nëpër shtetin e madh nga veriu drejt jugut dhe pritet që t’i ulë temperaturat gjatë fundjavës, edhe pse Qendra Kombëtare Meteorologjike thotë se reshjet e shiut e të borës do të pakësohen.
Në qytetin Yichun të provincës Heilongjiang, në fillim të javës së ardhshme mund të thyhet rekordi i temperaturës më të ulët, -47,9 gradë, që ishte regjistruar në janar të vitit 1980.
Në provincën Henan, bora e rrugët me akull, bashkë me mjegullën e dendur, shkaktuan shumë aksidente në disa rrugë. Autoritetet u detyruan që të vendosnin kontrollim të trafikut.
Autoritetet e trafikut në rajonin Ningxia thanë se disa nga autostradat janë bërë të pasigurta dhe zbatuan masa të përkohshme për shkak të reshjeve të borës. Edhe në provincën fqinje, Gansu, disa autostrada u mbyllën dhe lëvizja e trenave u pezullua, sipas mediave shtetërore.
Qarkullimi i trageteve dhe i disa autobusëve u pezullua përkohësisht të premten herët në Shangai. Qendra e njohur financiare e lëshoi paralajmërimin e parë për acar këtë vit.
Javën e ardhshme, pritet që ajri i ftohtë ta vazhdojë qarkullimin në mbarë vendin, nga veriu në jug, duke mbajtur temperatura të ulëta në rajonet qendrore e lindore. Parashikuesit e motit thonë se shumica e territorit të Kinës do të ketë temperatura më të ulëta se zakonisht gjatë dhjetë ditëve të ardhshme.