A po shënjestrohet Netanyahu: Prokurorët e Gjykatës së Hagës intervistojnë stafin e dy spitaleve në Gaza
Prokurorë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale kanë intervistuar stafin e dy spitaleve më të mëdha të Gazës, i thanë agjencisë “Reuters” dy burime. Ky është konfirmimi i parë që hetuesit e GjNP-së po flasin me mjekë për krimet e mundshme të luftës në Rripin e Gazës.
Burimet, që kërkuan të mos identifikoheshin për shkak të ndjeshmërisë së temës, i thanë agjencisë “Reuters” se hetuesit e GjNP-së kishin marrë dëshmi të stafit që kishte punuar në spitalin kryesor të qytetit Gaza në veri të enklavës, “Al Shifa”, dhe në spitalin kryesor në Khan Younis në jug, “Nasser”.
Burimet refuzuan që të ofronin më shumë hollësi, duke e përmendur shqetësimin për sigurinë e dëshmitarëve potencialë, raporton agjencia “Reuters”.
Njëri nga burimet tha se ngjarjet përreth spitalit janë bërë pjesë e hetimit nga GjNP-ja, e cila trajton raste kundër individëve për krime lufte, krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe agresion.
Zyra e Prokurorit e GjNP-së refuzoi që të komentonte për çështje operacionale në hetime që janë duke vazhduar, duke e përmendur nevojën për sigurinë e viktimave dhe dëshmitarëve.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka thënë se është duke i hetuar të dyja palët në konflikt, përfshirë sulmin e Hamasit më 7 tetor në Izrael dhe ofensivën pasuese izraelite në Gaza.
Zyra e kryeministrit izraelit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Drejtori i spitalit “Nasser” në Gaza nuk iu përgjigj një kërkese për koment, ndërsa drejtori i spitalit “Al Shifa” nuk mund të kontaktohej. Një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza nuk iu përgjigj një kërkese për koment rreth ndonjë hetimi të GjNP-së me stafin.
Gjatë konfliktit, dy spitalet kryesore të Gazës kanë qenë caqe të profilit të lartë nga Izraeli, të rrethuara dhe të bastisura nga forcat izraelite, të cilat i kanë akuzuar militantët e Hamasit për përdorim të këtyre objekteve për qëllime ushtarake. Hamasi dhe stafi mjekësor e kanë mohuar akuzën.
Sipas raportimeve të mediave izraelite, Gjykata Ndërkombëtare Penale së shpejti mund të lëshojë urdhërarreste për zyrtarë të lartë qeveritarë e ushtarakë të Izraelit.
Ministria e Jashtme tha të dielën vonë se u ka lëshuar paralajmërime zyrtarëve të lartë politikë e ushtarakë se ata së shpejti mund të ballafaqohen me urdhërarreste. Kjo ministri tha se i ka informuar misionet izraelite për “thashethemet” në lidhje me ndjekjen e mundshme penale.
Izraeli është shumë i shqetësuar se GjNP-ja mund të lëshojë urdhërarreste për kryeministrin Benjamin Netanyahu, ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe oficerë të lartë ushtarakë këtë javë, i tha një zyrtar izraelit televizionit amerikan, “NBC News”.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli