A po përgatitet Polonia për Trumpin: Raportohet se Duda do ta takojë në Nju-Jork - NACIONALE

A po përgatitet Polonia për Trumpin: Raportohet se Duda do ta takojë në Nju-Jork

2 javë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, do të takohet me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, gjatë një vizite në Nju-Jork këtë javë, thanë të martën mediat polake dhe një zyrtar i fushatës së Trumpit, përderisa udhëheqësit evropianë po përgatiten për rikthimin e mundshëm të republikanit në Shtëpinë e Bardhë.

Nacionalisti Duda, mandati i të cilit përfundon më 2025, ishte njëri nga partnerët ndërkombëtarë të parapëlqyer të Trumpit gjatë qëndrimit të amerikanit në pushtet. Një ndihmës i lartë i Dudës ka thënë se dy figurat ende mbajnë kontakte, raporton agjencia “Reuters”.

Tabloidi “Fakt” dhe portali WP.pl cituan burime të kenë thënë se një takim joformal do të zhvillohet gjatë një vizite të presidentit polak në Nju-Jork, gjatë së cilës Duda do të takohet edhe me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Një zyrtar i fushatës së Trumpit konfirmoi se takimi do të zhvillohet. Pallati Presidencial i Polonisë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Shumë udhëheqës evropianë për një kohë të gjatë kanë qenë të shqetësuar se një mandat tjetër i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të nënkuptonte zbehje të përkrahjes së Uashingtonit për fqinjën e Polonisë, Ukrainën, dhe për aleancën e NATO-s.

Polonia është mbështetëse e palëkundur e Ukrainës dhe edhe presidenti Duda, edhe kryeministri Donald Tusk u kanë bërë thirrje ligjvënësve amerikanë që të miratojnë 60 miliardë dollarë asistencë ushtarake për Ukrainën.

Përderisa Tusku dhe Duda janë ashpër të përçarë për disa çështje të brendshme në Poloni, ata janë të bashkuar për rëndësinë e përkrahjes së vazhdueshme për Ukrainën.

Lajme të ngjashme