A po i vjen fundi Twitter-it?
Ka kaluar pothuajse një vit që nga dita kur Elon Musk njoftoi se donte të blinte Twitter-in që e njohim të gjithë. Por ajo që po shohim, është ngritja e një Twitteri krejtësisht të ri.
E reja më e fundit nga platforma është se tashmë shenjën blu të verifikimit do ta kenë të gjithë ata që paguajnë një abonim mujor, e jo vetëm figurat publike që Twitter dëshironte të njiheshin se janë llogari të vërteta.
Sigurisht është bërë e ditur se gjatë kryerjes së pagesës për verifikim do të përfshihet edhe një proces verifikimi, në mënyrë që të limitohen individë dhe ogranizata të rreme, por tashmë është zbuluar se ka pasur edhe të tilla që kanë arritur të marrin verifikim.
Në fillim të këtij muaji, eksperti i financave personale Martin Lewis ka zbuluar një llogari të abonuar, në emër të tij, duke promovuar një kripto-mashtrim për mijëra ndjekës. Pra, tash e tutje ata që paguajnë, në vend të atyre që zgjidhen nga Twitter, do të përfitojnë nga shikueshmëria më e lartë në të gjithë platformën - kështu që ajo që do të shohim në ditët në vijim është se kush është në të vërtetë turma e re në Twitter.
BBC raporton se Twitter nuk ka publikuar ndonjë shifër, por një analist ka pohuar se numrat e abonentëve duket se janë një pjesë e bazës së tij prej 300 milionë përdoruesish.
Një fushë loje e barabartë?
Pronari Elon Musk duke komentuar vendimin për pagesë verifikimi, ka thënë se ai nuk mendonte se ishte e drejtë që Twitter të vendoste se kush ishte i rëndësishëm.
Megjithatë, ka raportime se nën vëzhgimin e tij disa personave u është ofruar verifikim falas. Vetë themeluesi i platformës së hetimit Bellingcat ka konfirmuar se organizata e tij është një prej llogarive që ka përfituar verifikim falas.
Musk gjithashtu ka pretenduar ditët e fundit, se ai ka paguar personalisht për abonimet e Stephen King, LeBron James dhe William Shatner - të cilët janë të gjithë kritikë të skemës mujore të abonimit në Twitter Blue.
E gjithë kjo sugjeron se Twitter nën drejtimin e Musk, i ashtuquajturi absolutist i fjalës së lirë, në fund të fundit nuk është plotësisht një fushë loje e barabartë për të gjithë…
Në përgjithësi, njerëzve nuk u pëlqen të largohen nga komunitetet, dhe Twitter mund të jetë i vogël dhe kaotik, por konsiderohet me ndikim. Në anën tjetër një lajm i ri është se krijuesi i Twitter, Jack Dorsey është duke hapur një rrjet të ri të quajtur Bluesky, totalisht të ngjashëm me Twitter.
Sipas BBC, ky rrjet është një hapësirë e vogël dhe deri më tani është duke funksionuar vetëm me ftesa por ka krijuar një emocion të madh, prandaj ka një shans që edhe Bluesky të bëhet me ndikim.

