A po e humb durimin Bideni: Raportohet për një telefonatë “frustruese” me Netanyahun për taksat e palestinezëve - NACIONALE

A po e humb durimin Bideni: Raportohet për një telefonatë “frustruese” me Netanyahun për taksat e palestinezëve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një telefonatë “frustruese” gjatë fundjavës, presidenti amerikan, Joe Biden, i tha kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se vendimi i qeverisë së tij për t’i mbajtur pezull fondet e taksave të palestinezëve pas sulmit të Hamasit duhet të zgjidhet, raportoi uefaqja amerikane e lajmeve, “Axios”, duke cituar zyrtarë amerikanë e izraelitë “me njohuri për çështjen”.

Njëri nga zyrtarët amerikanë i tha faqes “Axios” se biseda mes dy udhëheqësve të shtunën ishte ndër më të vështirat dhe më frustrueset deri më tani që nga 7 tetori, kur Hamasi vrau rreth 1.200 njerëz e mori peng afro 240 të tjerë në jug të Izraelit, përcjell gazeta “The Times of Israel”.

“Përshtypja ishte se presidenti po mban pozicion të vështirë për Bibin [Netanyahun] përditë dhe kur Bibi duhet të japë diçka dhe të ndërmarrë ca rrezik politik, ai nuk është i gatshëm për ta bërë këtë”- tha zyrtari amerikan.

Izraeli grumbullon të hyra mujore nga taksat në emër të Ramallahut ndaj importeve dhe eksporteve dhe ia transferon të hollat Autoritetit Palestinez, por gjithnjë më shumë ka mbajtur një pjesë të fondeve për shkak të çështjeve të ndryshme, kryesisht për shkak të dhënies së pagave nga Ramallahu të dënuarve për terror e familjeve të "terroristëve" të vrarë.

Sipas raportimit të faqes “Axios”, “Bideni kërkoi nga Netanyahu që ta pranonte” propozimin që vetë ai e kishte paraqitur para disa javëve: “t’i transferojë të hyrat e mbajtura nga taksat në Norvegji për t’i ruajtur derisa të gjendet një marrëveshje që do ta zbuste shqetësimin e Izraelit se fondet mund të arrijnë te Hamasi”.

Autoriteti Palestinez e kishte pranuar këtë rregullim, thuhet në raportim, por Netanyahu u mundua të tërhiqej dhe i tha Bidenit se nuk mendon më që kjo ishte ide e mirë.

“Ai i tha Bidenit se nuk mund t’u besojë norvegjezëve dhe se Autoriteti Palestinez duhet ta pranojë transferimin e pjesshëm të fondeve”- raportoi mediumi amerikan, duke cituar një zyrtar të ShBA-së dhe burimin e afërt me çështjen.

Rishtazi, Izraeli ka paralajmëruar se nuk do ta lejojë Autoritetin Palestinez që të transferojë fonde të ndara për shërbime e paga në Rripin e Gazës, duke pretenduar se këto mjete mund të arrijnë te Hamasi, përderisa forcat izraelite janë në luftë me këtë grup.

Më 3 nëntor, kabineti i sigurisë votoi për të mbajtur 275 milionë dollarë shtesë nga të hyrat prej taksave të palestinezëve, të cilat Izraeli i mbledh në emër të Autoritetit Palestinez. Kjo shifër përbën rreth 30 për qind të të hyrave totale që duhet t’i jepen Ramallahut.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme