A mund ta ndihmojë Azerbajxhani Evropën ta heqë qafe gazin rus? - NACIONALE

A mund ta ndihmojë Azerbajxhani Evropën ta heqë qafe gazin rus?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia është duke përdorur raketa dhe bomba në pushtimin e Ukrainës, por ajo ka edhe armë të tjera, më pak vdekjeprurëse, por mjaft kërcënuese, të cilat i ka drejtuar drejt pjesës tjetër të Evropës, e kjo është energjia, shkruan Radio Evropa e Lirë, edicioni në gjuhën angleze.

Për shkak të zemërimit ndërkombëtar për shkak të agresionit të paprovokuar kundër Ukrainës, Moska është duke u përballur me një mori sanksionesh gjithnjë e më të rënda. Me 40 për qind të gazit të përdorur nga Bashkimi Evropian (BE) që vjen nga Rusia, Moska është kundërpërgjigjur. Vladimir Putin njoftoi se vendet "armike" do të duhet të paguajnë furnizimin në rubla.

Kompania shtetërore ruse e energjisë Gazprom njoftoi më 26 prill se kishte pezulluar furnizimet me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë dhe se nuk do t'i rifillonte ato derisa pagesat të bëheshin në rubla ruse, duke shkaktuar kështu zemërim në BE dhe akuza për "shantazh".

Polonia, e cila mbulon rreth 45 për qind të kërkesave të saj të gazit nga importet nga Rusia, ka thënë se mundet të funksionojë edhe pa gazin rus. Nga ana tjetër, Bullgaria, e cila importon rreth 73 për qind të gazit të saj nga Rusia, ka thënë se do të përballet me probleme.

Në një intervistë me të përditshmen franceze Le Monde botuar më 28 prill, kryeministri bullgar Kiril Petkov tha se ekziston mundësia që vendi i tij të furnizohet me gaz nga Azerbajxhani.

"Shumë konkretisht, ne shpresojmë në marrjen e gazit nga Azerbajxhani sa më shpejt të jetë e mundur," ka thënë Petkov.

Mirëpo Baku nuk e komentoi zyrtarisht deklaratën e Petkovit. Aktualisht, Azerbajxhani furnizon Bullgarinë me deri në 300 milionë metra kub gaz në vit, që nuk është një sasi e konsiderueshme.

Për gati dy dekada, Azerbajxhani ka punuar për t'u bërë një eksportues i rëndësishëm i gazit në Evropë, duke kulmuar në fund të vitit 2020 me vënien në punë të Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), i cili transporton gazin azerbajxhanas përmes Greqisë dhe Shqipërisë, dhe përtej Adriatikut në Itali.

TAP është pjesa e fundit e Korridorit Jugor të Gazit 3500 kilometra të gjatë, i cili pompon gaz nga fusha gjigante e Azerbajxhanit Shah Deniz 2 në Detin Kaspik.

Korridori Jugor i Gazit u krijua për të diversifikuar furnizimin me gaz natyror të BE-së dhe për të zvogëluar numrin e anëtarëve të saj që kanë vetëm një burim furnizimi.

Në vitin 2021, BE kishte importuar gjithsej 155 miliardë metra kub (bcm) gaz nga Rusia, eksportuesi më i madh i gazit në botë.

Edhe pse gazi nga Azerbajxhani mund të ndihmojë vendet e BE-së të heqin qafe gazin rus, sasitë që posedon ky vend nuk janë të mjaftueshme për ta zëvendësuar plotësisht atë.

"Tubacioni TAP, i cili transporton gazin nga Azerbajxhani në Evropë, dhe përpjekjet e tjera të BE-së për të reduktuar varësinë nga importet e gazit rus kanë qenë gjithmonë rreth diversifikimit, jo eliminimit dhe zëvendësimit të plotë të furnizimeve ruse," shpjegon Alissa de Carbonnel, zëvendës- drejtoreshë e Programit për Evropë dhe Azi Qendrore në Grupin Ndërkombëtar të Krizave (ICG).

"Ideja është që burimet alternative të energjisë - sado e vogël të jetë pjesa e importeve totale - të sigurojnë që Gazprom të mos jetë në gjendje të përdorë monopolin e tij mbi asnjë treg," ka thënë De Carbonel për Radion Evropa e Lirë.

Për të qenë në gjendje të përdorë më shumë gazin nga Azerbajxhani, Bullgaria po llogarit në përfundimin e interkonjeksionit të gazit Greqi-Bullgari (IGB), i cili, siç sugjeron edhe emri i tij, duhet të lidhë rrjetet e gazit të dy vendeve.

Kur tubacioni të vihet në punë, i cili është planifikuar të bëhet më vonë këtë vit, Azerbajxhani do të fillojë për herë të parë të dërgojë një miliardë metra kub gaz në vit në Bullgari.

"Parashikimi më optimist është se ndërtimi do të përfundojë deri në korrik të këtij viti. Më pas duhen bërë teste dhe procedura të tjera. Për të ndihmuar Bullgarinë të përmbushë nevojat e saj urgjente, gazi nga Azerbajxhan mund të fillojë të eksportohet sapo të përfundojë testimi dhe dokumentet e tjera. Kjo do ta ndihmojë Bullgarinë në një farë mase të përballet me krizën e gazit të krijuar nga Rusia", thotë analisti bullgar i energjisë, Martin Vladimirov për shërbimin RSE të Azerbajxhanit.

Projekti i vlerësuar në rreth 240 milion euro, financohet nga vendet pjesëmarrëse dhe BE.

Mes tensioneve në rritje rajonale, por përpara se forcat ruse të pushtonin Ukrainën më 24 shkurt, Brukseli dhe Baku kishin diskutuar rreth rritjes së furnizimit me gaz të Azerbajxhanit.

"Ne duam që sasia ei gazit të eksportuar nga Azerbajxhani në Evropë të arrijë në 10 miliardë metra kub," kishte thënë Komisioneri i Energjisë i BE-së, Kadri Simson në një konferencë shtypi në Baku në 4 shkurt pas bisedimeve me presidentin Ilham Aliyev.

Aliyev tha se Azerbajxhani eksportoi 19 miliardë metra kub gaz vitin e kaluar. Kjo përfshin 8.5 miliardë metra kub në Turqi dhe shtatë miliardë metra kub në Itali, si dhe eksportet për në Gjeorgji, Greqi dhe Bullgari.

Ministri i Energjisë së Azerbajxhanit, Parviz Shahbazov, tha në mars se vendi i tij ka 2,600 miliardë metra kub rezerva gazi natyror, të cilat sipas tij ishin "të mjaftueshme për fqinjët dhe vendet evropiane".

Azerbajxhani ka eksportuar 2.6 miliardë metra kub gaz natyror në Evropë në tremujorin e parë të 2022 dhe pritet të rrisë furnizimet me gaz në Evropë me 30 për qind këtë vit. Megjithatë, rritja e eksportit të gazit nga Azerbajxhi do të mbulojë vetëm një pjesë të nevojave të Bashkimit Evropian për gaz.

Lajme të ngjashme