A është Putini i çmendur?- pyet BBC - NACIONALE

A është Putini i çmendur?- pyet BBC

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Spiunët e Perëndimit provojnë t'i futen në mendje presidentit të Rusisë...

Spiunët perëndimorë besojnë që lideri i Rusisë, Vladimir Putin, është i ngujuar në botën e tij dhe një gjë e tillë po i brengos edhe më zi.

Për vite me radhë spiunët e inteligjencës perëndimore kanë provuar të kuptojnë më mirë mendjen e presidentit rus, Vladimir Putin, për t’i kuptuar edhe qëllimet e tij.

Me trupat ruse që duket se janë rrasur e kanë mbetur në Ukrainë, nevoja për ta kuptuar më mirë Putinin është bërë edhe më e madhe për të parashikuar se si do të veprojë nën presion.

Ka pasur spekulime se lideri rus është i sëmurë, por shumë analistë besojnë që ai në të vërtetë është bërë më i izoluar dhe më i sertë ndaj çdo pikëpamjeje ndryshe.

Izolimi i tij është bërë evident në fotografi të takimeve të tij. Ta zëmë, fotografia që e shfaqte takimin me presidentin e Francës, Emmanuel Macronin. Por, edhe kur kishte takuar ekipin e sigurisë kombëtare në vigjilie të luftës.

Plani fillestar ushtarak i z. Putin dukej sikur ishte skicuar nga një zyrtar i KGB-së, shpjegon një zyrtar i inteligjencës perëndimore.

Rezultati ishte kaosi.

Komandantët ushtarakë rusë nuk ishin gati dhe disa ushtarë kishin shkuar në kufi pa e ditur se çka do të bënin.

I vetmi që vendos

Spiunët perëndimorë, përmes burimeve që nuk duan t’i diskutojnë, dinin më shumë për ato plane se sa lidershipi i Rusisë. Por, ata tashmë po përballen me një sfidë krejt të re: të kuptojnë se çka do të bëjë Putini tash. Dhe kjo nuk është e lehtë.

“Problemi i të kuptuarit të lëvizjeve të Kremlinit është që Putini i merr vendimet vetë në Moskë,” shpjegon John Sipher, që më parë kishte drejtuar operacionet e CIA-s në Rusi.

Putini, thonë zyrtarët e inteligjencës, është i izoluar në një fluskë të krijuar nga po ai, ku shumë pak informacion i jashtëm penetron, veçanërisht diçka që do ta sfidonte në të menduarin e tij.

“Ai është viktimë e propagandës së tij në kuptimin që ai dëgjon vetëm një numër njerëzish dhe bllokon të gjithë të tjerët. Kjo i jep atij një pikëpamje të çuditshme për botën,” thotë Adrian Furnham, profesor i psikologjisë.

Rreziku është në atë që quhet “të menduarit në grup” e ku secili që bën pjesë në atë grup vetëm sa e përforcon të menduarit e tij.

Drejtori i CIA-s, William Burns, duke bërë vlerësimin e gjendjes mendore të Putinit tha: “Ai ka qenë duke u zier nga një kombinim i hidhërimit dhe ambicies për vite me radhë” dhe i ka përshkruar pikëpamjet e tij si “më radikale” se më herët.

A është residenti rus i çmendur? Kjo është një pyetje që e kanë shtruar shumë vetë në Perëndim. Por, pak ekspertë e konsiderojnë si pyetje ndihmuese. Një psikolog me ekspertizë në fushë thotë që është gabim të supozojmë për një gjë të tillë sepse nuk mund ta kuptojmë një vendim si ai i pushtimit të Ukrainës duke kornizuar personin që e bëri si “të çmendur”.

CIA ka një ekip që kryen “analiza të liderëve”, me një traditë që i ka fillet nga përpjekjet për ta kuptuar më mirë Hitlerin. Ata studiojnë rritën e një personi, pastaj relacionet dhe shëndetin, duke skicuar inteligjencë sekrete.

Në vitin 2014, Angela Merkel u raportua t’i kishte thënë presidentit amerikan Barack Obama se Putini po jetonte “në një botë tjetër”. Edhe Macron që u takua me Putinin së fundi raportohet se e kishte përshkruar atë si “më të ashpër, e më të izoluar” krahasuar me vizitat e kaluara.

A ka ndryshuar diçka? Disa spekulojnë, pa shumë prova, për probleme të sëmundjeve. Për një gjë të tillë ka raportuar edhe Nacionalja bazuar në gazetat kredibile ndërkombëtare. Disa të tjerë theksojnë faktorët psikologjikë, domethënë se po i kalon koha për të përmbushur atë që e shihte si destinimin e tij për ta bërë Rusinë vend madhështor.

Teoria e njeriut të çmendur

Putini vetë e tregon një rrëfim kur po e ndiqte një mi sa ishte ende fëmijë. Kur e kishte çuar në një qosh, miu kishte reaguar me sulm, duke e detyruar Vladimirin e vogël që të ikte. Pyetja që politikëbërësit perëndimorë po shtrojnë është se çka nëse z. Putin ndihet si miu në qoshe aktualisht?

Ka shqetësime se ai mund të përdor armë kimike apo edhe armë taktike nukleare.

“Brenga është mos po bën diçka të pabesueshme,” tha Adrian Furnham.

Për spiunët perëndimorë nuk ka qenë kurrë më urgjente të kuptojnë qëllimet dhe mendësinë e z. Putin. Të parashikosh reaksionin e tij është qenësore për të kuptuar se sa larg mund të shkohet pa nxitur ndonjë reagim të rrezikshëm.

“Mendimi i Putinit për veten nuk lejon kurrfarë dështimi apo dobësie. Ai i përçmon këto gjëra. Një Putin i dobësuar e i vënë për muri është shumë më i rrezikshëm. Është ndonjëherë më mirë ta lëmë ariun të dalë jashtë kafazit dhe të kthehet në pyll,” tha Ken Deklava në përshkrimin e tij.

Lajme të ngjashme