A e dini se ekziston Partia Komuniste e ShBA-së: E përkrah LGBT-në dhe ka garuar në zgjedhje - NACIONALE

A e dini se ekziston Partia Komuniste e ShBA-së: E përkrah LGBT-në dhe ka garuar në zgjedhje

1 javë më parë

nga NACIONALE

Kur bëhet fjalë për sistemin politik të Shteteve të Bashkuara, kryesisht keni dëgjuar për dy parti: Partinë Demokratike dhe Partinë Republikane. Megjithatë, a e dini se ekziston edhe Partia Komuniste e ShBA-së? Nëse jo, në këtë artikull mund të mësoni më shumë për këtë parti.

Parti Komuniste e Shteteve të Bashkuara, e njohur edhe si Partia Komuniste Amerikane, është themeluar në vitin 1919 pas një ndarjeje me Partinë Socialiste të Amerikës, pas Revolucionit Rus.

Historia e Partisë Komuniste të ShBA-së është e lidhur ngushtë me të kaluarën e lëvizjes amerikane të punëtorëve dhe me partitë e tjera komuniste në botë.

Partia udhëhiqet nga Joe Sims dhe Rossana Cambron. Selia qendrore e partisë ndodhet në Manhattan të Nju-Jorkut. Partia Komuniste e ShBA-së ka edhe një gazetë elektronike, “Bota e Popullit”, si dhe krahun e rinisë, Lidhja e Të Rinjve Komunistë.

Sipas një vlerësimi të vitit 2017, Partia Komuniste e ShBA-së ka pesë mijë anëtarë, ndërsa slogani i saj është: “Njerëzit dhe planeti para përfitimeve”.

Gjatë pjesës së parë të shekullit XX, Partia Komuniste kishte ndikim në disa fusha. Në gusht të vitit 1919, vetëm disa muaj pas themelimit, partia pretendonte se kishte 50 mijë deri në 60 mijë anëtarë. Në radhët e saj kishte anarkistë e majtistë radikalë.

Sipas kushtetutës së partisë, e miratuar në Konventën e 30-të Kombëtare më 2014, Partia Komuniste vepron mbi parimin e centralizmit demokratik, ndërsa autoriteti më i lartë i saj është Konventa Kombëtare.

Në mesin e shqetësimeve kryesore të Partisë Komuniste janë problemet e papunësisë dhe pasigurisë së vendeve të punës, të cilat partia i konsideron rezultate të natyrshme të nismave të nxitura nga përfitimi të ekonomisë kapitaliste.

Përmes një deklarate të vitit 2005, Partia Komuniste e ShBA-së shprehu përkrahje për të drejtat e komunitetit LGBT.

Partia Komuniste e ShBA-së ka marrë pjesë disa herë në zgjedhje presidenciale, por kandidatët e saj nuk kanë pasur përkrahje domethënëse.

Më 1924, kandidati i kësaj partie për president të ShBA-së, William Foster, kishte marrë mbi 38 mijë vota ose 0,1 për qind të numrit të përgjithshëm.

Partia Komuniste e ShBA-së ka edhe uebfaqe. Përmes saj mund të dhuroni donacione ose të paguani shuma mujore, duke filluar nga dy dollarë në muaj. Në uebfaqe mund të lexohet edhe programi i partisë, artikuj të ndryshëm për historinë e saj si dhe ka kontakte me përfaqësues në shtete të ndryshme amerikane, për ata që janë të interesuar për t’u bërë pjesë e këtij grupi politik.

Lajme të ngjashme