74 minuta: Çka u tha në intervistën mes Muskut e kryetares së AfD-së së Gjermanisë? - NACIONALE

74 minuta: Çka u tha në intervistën mes Muskut e kryetares së AfD-së së Gjermanisë?

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Njeriu më i pasur në botë financiarisht, Elon Musk, të enjten e çoi në nivel tjetër mbështetjen e tij për partinë gjermane të së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), duke zhvilluar një bisedë të drejtpërdrejtë në internet me udhëheqësen e saj, Alice Weidel.

Biseda 74-minutëshe përfshiu tema të ndryshme, si politikat në fushën e energjisë, burokracia gjermane, Adolf Hitleri, Marsi dhe kuptimi i jetës, raporton televizioni BBC.

Miliarderi amerikan pa mëdyshje u bëri thirrje gjermanëve që ta mbështesin Alternativën për Gjermaninë në zgjedhjet e shkurtit.

Biseda ka shkaktuar kundërthënie, pasi Musku u akuzua për ndërhyrje në zgjedhjet e parakohshme gjermane. Sidoqoftë, intervista e realizuar në gjuhën angleze ishte mundësi për AfD-në që të arrinte tek audienca ndërkombëtare përmes platformës X të aleatit të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.

Duke e ditur raportin e tij të ngushtë me Trumpin, zonja Weidel u sigurua që ta shprehte mbështetjen e saj për presidentin e zgjedhur dhe ekipin e tij.

Ajo këmbënguli se partia e saj është “konservatore” dhe “liridashëse”, por se është “kornizuar negativisht” nga mediat tradicionale si ekstremiste.

Disa sektorë të AfD-së janë klasifikuar zyrtarisht si ekstreme të së djathtës nga autoritetet gjermane.

Gjatë bisedës, Weidel-i deklaroi se ish-diktatori famëkeq gjerman, Adolf Hitler, në të vërtetë ka qenë “komunist”, pavarësisht nga antikomunizmi i shquar i udhëheqësit nazist, i cili e kishte pushtuar Bashkimin Sovjetik.

“Ai nuk ishte konservator. Ai nuk ishte liridashës. Ai ishte njeri komunist, socialist” – tha ajo, duke e përshkruar Hitlerin edhe si “socialist antisemit”.

Dy bashkëbiseduesit diskutuan – nganjëherë duke qeshur – për burokracinë famëkeqe gjermane, braktisjen “e çmendur” të energjisë bërthamore nga Gjermania, nevojën për uljen e taksave dhe lirinë e shprehjes.

Në një çast, Weidel-i e pyeti Muskun nëse ai beson në Zot apo jo. Amerikani tha se është i hapur ndaj kësaj ideje, pasi synon që “ta kuptojë universin sa më shumë që është e mundshme”.

AfD-ja, e cila e kundërshton përkrahjen ushtarake të Berlinit për Ukrainën, po del e dyta në sondazhe. Zgjedhjet e parakohshme janë caktuar për datën 23 shkurt.

Sidoqoftë, nuk pritet që kjo parti do të jetë në gjendje për ta marrë pushtetin qendror, pasi partitë e tjera refuzojnë që të bashkëpunojnë me të.

Kjo nuk e ka ndaluar Elon Muskun që ta çmojë zonjën Weidel, duke e cilësuar si "kandidate udhëheqëse për ta drejtuar Gjermaninë".

Ai e ka justifikuar ndërhyrjen e tij në Gjermani duke i përmendur investimet domethënëse në shtetin e Evropës Qendrore, sidomos një fabrikë të madhe të prodhuesit të veturave elektrike “Tesla” afër Berlinit./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme