52 të vrarë në Gaza, përfshirë 36 në një shkollë të shndërruar në strehimore - NACIONALE

52 të vrarë në Gaza, përfshirë 36 në një shkollë të shndërruar në strehimore

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sulmet izraelite lanë të vrarë të paktën 52 njerëz në Rripin e Gazës të hënën, përfshirë 36 në një shkollë të shndërruar në strehimore, e cila u godit në kohën kur njerëzit po flinin, duke ua vënë flakën gjësendeve të tyre, sipas zyrtarëve shëndetësorë lokalë. Ushtria izraelite tha se vuri në shënjestër militant që po operonin nga shkolla.

Sulmi ndaj shkollës në lagjen Daraj të Qytetit Gaza gjithashtu la të plagosur dhjetëra njerëz, tha Fahmy Aëad, drejtor i shërbimit emergjent. Ai tha se në mesin e të vdekurve ishin një baba me pesë fëmijët e tij. Shifrën e përgjithshme të viktimave e konfirmuan spitalet “Shifa” dhe “Al-Ahli” në Qytetin Gaza, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Aëad tha se shkolla u godit në kohën kur njerëzit po flinin, duke ua vënë zjarrin gjësendeve të tyre. Në pamje shfaqeshin punëtorët e shpëtimit duke u munduar ta shuanin flakën dhe duke tërhequr kufoma të djegura.

Ushtria izraelite tha se vuri në shënjestër një qendër të komandës dhe kontrollit brenda shkollës, të cilën Hamasi dhe Xhihadi Islam e kishin përdorur për të grumbulluar të dhëna të inteligjencës për të kryer sulme.

Nga një sulm tjetër ndaj një shtëpie në Jabalya, në veri të Gazës, u vranë 16 anëtarë të së njëjtës familje, përfshirë pesë gra e dy fëmijë, sipas spitalit “Shifa”, ku u pranuan trupat.

Ndërkohë, militantët palestinezë hidhën tri predha nga Gaza, dy prej të cilave përfunduan brenda territorit të enklavës, ndërsa një tjetër u pengua, sipas ushtrisë izraelite.

Izraeli planifikon që të zbatojë një sistem të ri të shpërndarjes së ndihmave nga një grup i njohur si Fondacioni Humanitar i Gazës, i përbërë nga ish-zyrtarë humanitarë, qeveritarë e ushtarakë./Nacionale

Lajme të ngjashme