39 të vdekur nga përplasja e trenit me shpejtësi të lartë në Spanjë - NACIONALE

39 të vdekur nga përplasja e trenit me shpejtësi të lartë në Spanjë

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Të paktën 39 persona kanë vdekur në një përplasje trenash në jug të Spanjës dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në aksidentin më të rëndë hekurudhor në vend në më shumë se një dekadë, sipas mediave ndërkombëtare.

Vagonët e një treni me destinacion Madridin, sipas raportmeve, dolën nga shinat dhe kaluan në binarët e kundërt, duke u përplasur me një tren që po vinte përballë në Adamuz, mbrëmjen e së dielës,

Sipas rrjeteve hekurudhore, në të dy trenat ndodheshin katërqind pasagjerë dhe anëtarë të personelit. Shërbimet e urgjencës trajtuan 122 persona, ndërsa 48 prej tyre, përfshirë pesë fëmijë, ndodhen ende në spital. Nga këta, 11 të rritur dhe një fëmijë janë në kujdes intensiv.

Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, citohet të ketë deklaruar se bilanci i viktimave "nuk është ende përfundimtar", ndërsa zyrtarët kanë nisur një hetim.

Puente e përshkroi incidentin si "jashtëzakonisht të çuditshëm". Të gjithë ekspertët hekurudhorë të konsultuar nga qeveria "janë jashtëzakonisht të hutuar nga aksidenti", u tha ai gazetarëve në Madrid.

Siç raporton BBC, pperatori i rrjetit hekurudhor Adif citohet të ketë thënë se përplasja ndodhi në orën 19:45 me orën lokale, rreth një orë pasi treni u nis nga Malaga drejt veriut për në Madrid, kur doli nga shinat në një segment të drejtë afër qytetit të Kordobës.

Forca e përplasjes i shtyu vagonët e trenit të dytë në një argjinaturë, tha Puente. Ai shtoi se shumica e të vrarëve dhe të plagosurve ndodheshin në vagonët e parë të trenit të dytë, i cili po udhëtonte drejt jugut nga Madridi për në Huelva.

Lloji i trenit i përfshirë në përplasje ishte një Freccia 1000, i cili mund të arrijë shpejtësi maksimale prej 400 km/h (250 mph), i tha agjencisë së lajmeve Reuters një zëdhënës i kompanisë hekurudhore italiane Ferrovie dello Stato.

Ekipet e shpëtimit thanë se rrënojat e përdredhura të trenave e vështirësuan nxjerrjen e njerëzve të bllokuar brenda vagonëve.

Shefi i zjarrfikësve të Kordobës, Francisco Carmona, citohet të ketë deklaruar: "Na u desh madje të lëviznim një person të vdekur për të arritur te dikush i gjallë. Është punë e vështirë dhe e ndërlikuar."

Lajme të ngjashme