‘2 javë afat për diplomaci para sulmit’: Çka u tha tjetër nga Shtëpia e Bardhë për Iranin dhe armën bërthamore?
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump tashmë ka bërë me dije se do të vendosë brenda dy javëve nëse do të nis sulm amerikan ndaj Iranit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve edhe mbi çështje të tjera rreth konfliktit Izrael-Iran.
Fillimisht, Karoline Leavitt lexoi një deklaratë të presidentti Trump ku bëhet me dije se ai do të vendosë brenda dy javëve nëse do të nisë një sulm amerikan ndaj Iranit, raporton CNN, transmeton Nacionale.
Trump dëshiron të lejojë që përpjekjet diplomatike të vazhdojnë para se të marrë një vendim përfundimtar mbi veprimin ushtarak amerikan, sipas deklaratës. Leavitt tha gjithashtu se marrëveshja me Iranin duhet të përfshijë ndalimin e pasurimit të uraniumit.
Ja çka tjetër deklaroi ajo:
Në lidhje me kritikën nga aleatët MAGA: Leavitt i bëri thirrje mbështetësve që të “besojnë në Presidentin Trump” pasi disa aleatë të MAGA kritikuan administratën për konsiderimin e rritjes së përfshirjes së SHBA-së në konflikt.
“Presidenti Trump ka instinkte të jashtëzakonshme, dhe Ppesidenti Trump mbajti Amerikën dhe botën të sigurt në mandatet e tij të para duke zbatuar një politikë të jashtme të paqes përmes fuqisë,” - tha Leavitt gjatë konferencës për shtyp të enjten. “Dhe lidhur me Iranin, askush nuk duhet të habitet nga pozicioni i presidentit që Irani absolutisht nuk mund të përftojë një armë bërthamore — ai ka qenë plotësisht i qartë për këtë dekada me radhë, jo vetëm si president, jo vetëm si kandidat presidencial, por edhe si qytetar”.
Për armën bërthamore që Irani mund të ketë: Irani “nuk ka qenë kurrë më afër për të përfituar një armë bërthamore,” tha ajo, kur u pyet mbi vlerësimin e Trump se Irani është “disa javë larg” prej saj. Më vonë, kur u pyet nëse kjo do të thotë se Irani është afër të nisë ndërtimin e armës apo të përfundojë prodhimin e saj, Leavitt tha, “Irani ka gjithçka që i nevojitet për të arritur një armë bërthamore.”
Për pozicionin e Iranit: Teherani “është në një pozicion shumë të dobët dhe të pambrojtur” pas tetë ditësh konflikti në rritje me Izraelin, tha sekretarja e shtypit për CNN. Presidenti “ka qenë shumë i drejtpërdrejtë dhe i qartë: Irani mund dhe duhet të bëjë një marrëveshje,” - shtoi ajo.