14 vjet burgim rusit të akuzuar për dërgim të pamjeve të pajisjeve ushtarake Ukrainës - NACIONALE

14 vjet burgim rusit të akuzuar për dërgim të pamjeve të pajisjeve ushtarake Ukrainës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një burrë u dënua me 14 vjet burgim të hënën, pasi u shpall fajtor për tradhti të lartë për një video që ua kishte dërguar shërbimeve ukrainase të sigurisë, rasti më i ri në një varg rastesh të spiunimit në lidhje me konfliktin.

Gjykata e Qarkut në Volgograd tha se Nikita Zhuravel kishte qenë “në mospajtim me rrjedhën politike të Federatës Ruse” dhe hyri në korrespondencë me një përfaqësues nga shërbimet ukrainase të sigurisë në internet dhe kreu detyra prej tij. Gjykata nuk dha hollësi të detyrave, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Zhuraveli tashmë është duke vuajtur një dënim prej tre vjetëve e gjysmë burgim për djegien e një kopjeje të Kuranit para një xhamie. Ky dënim i ishte shqiptuar në shkurt.

Prokurorët thanë se Zhuraveli kishte incizuar një tren të ngarkuar me pajisje ushtarake si dhe aeroplanë luftarakë më 2023 dhe ia kishte dërguar videon një përfaqësuesi të agjencisë ukrainase të sigurisë.

Përderisa ishte në mbajtje para se t’i shqiptohej dënimi i parë, Zhuraveli ishte rrahur nga i biri 15-vjeçar i udhëheqësit të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov. Babai i adoleshentit e kishte publikuar videon në rrjete sociale dhe e kishte çmuar të birin, duke shkaktuar reagime të publikut.

Rastet gjyqësore me tradhti dhe spiunim janë shtuar shumë në Rusi pas fillimit të pushtimit të Ukrainës. Në shënjestër kanë qenë një gamë e gjerë e të dyshuarve, nga kritikuesit e Kremlinit te gazetarët e pavarur dhe shkencëtarët, duke e marrë vëmendjen e grupeve për të drejtat e njeriut.

Lajme të ngjashme