14 shtete e dënojnë Izraelin për 19 vendbanime të reja në Bregun Perëndimor
Katërmbëdhjetë shtete, përfshirë Britaninë e Madhe, Gjermaninë e Kanadanë, e kanë dënuar miratimin e 19 vendbanimeve të reja nga kabineti izraelit i sigurisë për t’u ndërtuar në Bregun e pushtuar Perëndimor, duke thënë se ato e shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe rrezikojnë që ta nxisin jostabilitetin.
Izraaeli të dielën e kaluar miratoi një propozim për vendbanime të reja hebreje, që e çojnë në 69 numrin e përgjithshëm të tyre, sipas ministrit të Financave, Bezalel Smotrich, i cili ka qëndrime të së djathtës ekstreme, shkruan gazeta “The Guardian”.
“Ne i bëjmë thirrje Izraelit që ta kthejë prapa këtë vendim si dhe zgjerimin e vendbanimeve” – thuhet në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga Britania, Gjermania, Kanadaja, Belgjika, Danimarka, Franca, Italia, Islanda, Irlanda, Japonia, Malta, Holanda, Norvegjia dhe Spanja.
Më tej, në këtë deklaratë thuhet: “Veprime të tilla të njëanshme, si pjesë e një intensifikimi më të gjerë të politikave të vendbanimeve në Bregun Perëndimor, jo vetëm që e shkelin të drejtën ndërkombëtare, por gjithashtu rrezikojnë që ta nxisin jostabilitetin.”
“Ato e rrezikojnë minimin e zbatimit të planit gjithëpërfshirës për Gazën në mesin e përpjekjeve për të kaluar në fazën e dytë dhe dëmtimin e perspektivës për paqe afatgjatë dhe siguri në mbarë rajonin” – thuhet në deklaratën e përbashkët.