14 njerëz vdiqën nga uria dhe kequshqyerja në Gaza në 24 orët e fundit, thotë ministria
Spitalet në Gaza regjistruan 14 vdekje nga uria dhe kequshqyerja në 24 orët e fundit, tha të hënën Ministria e Shëndetësisë, e cila kontrollohet nga Hamasi.
Sipas kësaj ministrie, me 14 rastet e reja fatale, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga uria dhe kequshqyerja në enklavën palestineze ka shkuar në 147 – prej tyre 88 fëmijë, raporton televizioni CNN.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, i cili po qëndron për vizitë në Skoci, pritet të takohet me kryeministrin britanik, Keir Starmer, me të cilin pritet të diskutojë, mes tjerash, edhe për urinë në Gaza.
Sipas një deklarate të qeverisë britanike, dy udhëheqësit pritet të diskutojnë se si të arrihet një armëpushim dhe si “t’i jepet fund vuajtjes së papërshkrueshme dhe vdekjes nga uria në Gaza dhe si të lirohen pengjet”.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha të dielën se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë më shumë asistencë humanitare në Gaza, por i përsëriti pretendimet se Hamasi është duke i vjedhur ndihmat.