Vendos Kushtetuesja: S’ka masë të përkohshme, e s’trajtohet rregullorja e BQK-së - NACIONALE

Vendos Kushtetuesja: S’ka masë të përkohshme, e s’trajtohet rregullorja e BQK-së

2 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur për kërkesën e Vasilije Arsić, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rregullores së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për Operacionet me Para të Gatshme, të 1 shkurtit 2024, ose siç njihet gjerësisht rregullorja me anë të së cilës "u bllokua" dinari serb, duke mbetur veç euro valutë e vlefshme në Kosovë.

Gjykata, njëzëri, ka konstatuar që kërkesa të shpallet e papranueshme për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike. Pra, me këtë aktvendim u refuzua edhe kërkesa për caktim të masës së përkohshme, përkatësisht pezullimin e zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Kjo i bie se është dashur të shterrohen mjetet juridike në gjykatat e rregullta, para se të bëhet subjekt trajtimi në Kushtetuese.

Çka prodhoi kjo rregullore?

Çështja e ndalimit të dinarit serb për shkak të hyrjes në fuqi të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) ishte subjekt diskutimi dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Në këtë mbledhje pati marë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili kishte thënë se rregullorja e re e OKB-së, nuk e ndalon financimin e serbëve të Kosovës. Ai ka theksuar se me këtë rregullore nuk ndalohet dinari, as paundi e as lekët nga Shqipëria, por sipas tij, propaganda ndaj kësaj rregulloreje ka për qëllimin nxitjen e tensioneve etnike

“Rregullorja e BQK-së nuk ndalon në asnjë mënyrë që Serbia t’i financojë serbët e Kosovës. Çfarëdo gjëje që thotë ndryshe është propagandë e rreme dhe nxitje e tensioneve etnike. Rregullorja synon transparencë dhe legalitet në importin e parave në linjë me Kushtetutën tonë dhe politikat monetare të BE-së. Rregullat e njejta vlejnë për çfarëdo vendi, çfarëdo paraje. S’ndalojnë dinarin, as dollarin, paundin, as lekët nga Shqipëria.” – ka thënë Kurti.

Ai gjithashtu tha se do të ketë periudhë tranzicioni dhe do të drejtohet edhe në gjuhën serbe që sa më shumë të kuptojnë për rregulloren e BQK-së.

Megjithatë, Kurti atje ishte kritikuar nga shtetet aleate të Kosoëvs, si SHBA-ja e Britania, të cilat u shprehën të shqetësuar me veprimet e pakordinuara.

Përveç këtyre kritikave, Kurti u kritikua edhe nga partitë opozitare e analistë politikë në Kosovës, të cilët paraqitjen e Kosovës në OKB e cilësuan si një humbje diplomatike.

Diskutimet në Bruksel

Zëvendëskryeministri i vendit Besnik Bislimi, anipse e kishe quajtur vendim të pavarur të një organi të pavarur të shtetit rregulloren e BQK-së, e për të cilën kishte thënë se s’mund të jetë subjekt i diskutimeve në Bruksel, ai hiç më pak se tri herë u taku me lehtëuesin e dialogut Miroslav Lajçak e zyrtarët serb, për të diskutuar pikërisht për këtë rregullore.

Pas takimit të fundit, më 25 mars në Bruksel, kryenegociatori i Kosovës, Bislimi ka shprehur nevojën për një takim shtesë për zgjidhjen e çështjes së dinarit serb.

“Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Pavarësisht përpjekjeve për afrim, duket se është e nevojshme një takim shtesë, i cili ndoshta do të ndodhë javën e ardhshme nëse zoti Lajçak e gjykon të përshtatshëm”, ishte shprehur Bislimi.

Aksioni i Policisë

Policia e Kosovës në bashkëpunim me organet relevante dhe me urdhër të prokurorit ara pak javëve kanë mbyllur gjashtë njësi të ashtuquajturës bankës postare kursimore ilegale në veri të vendit.

Siç thuhet në komunikatë ,“ky operacion policor është duke u zhvilluar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë, aksion ky i cili deri më tani ka kaluar pa ndonjë problem apo incident.”

Ky aksion sipas Policisë u bë pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare.

“Policia e Kosovës, pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, si Njësia e Inteligjencës Financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës, bazuar në autorizim të prokurorit kompetent, është duke zhvilluar një operacion policor në gjashtë lokacione të katër komunave në veri të Kosovës, e që janë i ashtuquajturi Trezori i Bankës Postare Kursimore (Banka Postanske Stedionice) dhe pesë filialeve të tjera të saj, që kanë vepruar ilegalisht në këtë zonë të Republikës së Kosovës.” – thuhet aty

Ndryshe, këtë të mërkurë në Bruksel do të takohen Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Alkesandër Vuçiq. Ende nuk dihet nëse edhe këtu do të jetë apo jo subjekt diskutimi kjo rregullore.

Lajme të ngjashme