“UÇK-ja në gjykim”: Çka po paralajmëron Gjykata Speciale ndaj deklaratave të tilla?
Gjykata Speciale ka paralajmëruar se deklaratat e ardhshme publike që vijnë nga mbrojtësit, kur thonë se “UÇK-ja është në gjykim", do të konsiderohen si deklarata që bëhen me vetëdije e në kundërshtim me deklaratat gjyqësore. Krejt ky sqarim i Speciales erdhi pas disa deklaratave të bashkëmbrojtësit të Hashim Thaçit, avokatit Dastid Pallaska, për çka Prokuroria e Specializuar kërkoi nga gjykata të shqiptonte masa.
Megjithatë, Gjykata vendosi të mos shqiptonte ndonjë masë për të, por vetëm ta lëshonte këtë paralajmërim për të ardhmen.
“Trupi Gjykues bëri me dije se do t’i konsiderojë deklaratat e ardhshme publike të mbrojtësve, kur thonë se UÇK-ja është në gjykim, si deklarata që bëhen me vetëdije në kundërshtim me deklaratat gjyqësore” – thuhet aty.
Pra, kushdo nga mbrojtësit e të akuzuarve që gjenden në Hagë, e që deklaron se aty “po gjykohet UÇK-ja”, tash e tutje këto deklarata nga gjykata do të konsiderohen në kundërshtim me deklaratat gjyqësore. Edhe pse aty nuk specifikohen pasojat, ky paralajmërim i Speciales dhe fjala e përdorur aty “do të konsiderohet” tregojnë se deklaratat e tilla do të shqyrtohen nga trupi gjykues.
Rasti Pallaska
Trupi gjykues e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë që avokati Dastid Pallaska të paralajmërohet me vërejtje të fundit për disa deklarata në RTK.
Dokumenti është publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale, raporton Nacionale.
Pallaska kishte dhënë disa deklarata në RTK, për të cilat Prokuroria kishte thënë se janë mashtruese dhe me tendencë.
Në anën tjetër, mbrojtja e kishte akuzuar Prokurorinë se po synonte që ta ndalonte fjalën e lirë të avokatëve.
Trupi gjykues e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë, por i ka kërkuar mbrojtjes që t’i zbatojë kodet në fuqi të mirësjelljes.
Çka tha Prokuroria
Në kundërpërgjigjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) ndaj përgjigjjes së mbrojtjes së Hashim Thaçit ndaj Prokurorisë për “kërkesë për kujdes ndaj z. Dastid Pallaska”, thuhet se standardi i sjelljes me vetëdije të rreme ose mashtruese është përmbushur.
“Asnjë nga arsyet e paraqitura nga mbrojtja e Thaçit nuk e ndryshon faktin se z. Pallaska bëri deklarata publike që sipas çdo standardi objektiv, me vetëdije ishin të rreme dhe/ose mashtruese. Në këto rrethana, dhënia e një paralajmërimi është një masë e përshtatshme që Paneli duhet të marrë”- thuhet në këtë përgjigje.
Përgjigjja e ZPS-së vjen pasi mbrojtësi i Thaçit, avokati Kehoe, përmes një kërkese, e ka akuzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar për manipulim me prova. Po ashtu, aty theksohet se komentet publike të Pllaskës për gjyqin ndaj UÇK-së për raportin e Martyt janë në linjë me ato të mbrojtjes dhe se themeli qëndron në keqinterpretimet e ZPS-së për komentet e Dastid Pallaskës.
Paraprakisht, në fillim të kësaj kundër-përgjigjeje thuhet se Prokuroria i përgjigjet mbrojtjes së Thaçit për dy çështje.
“Së pari, një avokat i caktuar me detyrime, ndër të tjera, sinqeritet dhe zell, nuk mund të mbështetet në injorancën për të shmangur përgjegjësinë për deklaratat e tij publike”- u tha në parashtresë.
Së dyti, sipas tyre, artikulimi i pozicioneve të mbrojtjes në publik nuk e liron avokatin nga respektimi i nenit 13 (a) të Kodit të Sjelljes.
Tutje, thuhet se mbrojtja e Thaçit, përderisa i bën një sfidë kontekstuale interpretimit të një citati, nuk e mohon saktësinë tekstuale të deklaratave që i atribuohen Pallaskës, por, në vend të kësaj, mbrojtja e Thaçit pohon, ndër të tjera, se Prokuroria "ka dështuar të përmbushë barrën e saj" për të vërtetuar se komentet e Pallaskës ishin mashtruese qëllimisht ose me vetëdije.
“Megjithatë, Thaçi nuk ofron ndonjë test përkatës në mbështetje të këtij pohimi. Ai thjesht nuk pajtohet me parashtresat e Prokurorisë’’- thotë ZPS-ja në këtë parashtresë.
Tutje, thuhet se duke e zbatuar standardin për komentet e Pallaskës të cituara në kërkesë, trupi gjykues ka të drejtë të konkludojë se komentet e tij ishin me vetëdije të rreme dhe/ose mashtruese, duke pasur parasysh ‘detyrimet e avokatit për sinqeritet, zell, dinjitet dhe integritet’.
“Avokati nuk duhet të i lejohet të fshihet pas injorancës ose pohimeve të gjendjes së tij shpirtërore subjektive, për t’iu shmangur përgjegjësisë për komente nxitëse që mund të mashtrojnë publikun, të shpifin procedurat dhe të krijojnë një mjedis shtesë të polarizuar dhe armiqësor për ata që thirren për të dëshmuar”- thuhet në vazhdim.
Dreçun: Kemi fakte se UÇK-ja ishte ndërmarrje e përbashkët kriminale
Kryetari i Komisionit Parlamentar të ashtuquajtur për Kosovë dhe Metohi, Millovan Dreçun, e ka komentuar fillimin e gjykimit duke thënë se “e gjithë UÇK-ja ishte në Hagë”.
Ai shtoi se pala serbe ka dhënë një kontribut vendimtar për të dëshmuar se kishte një ndërmarrje të përbashkët kriminale te UÇK-ja, pra se UÇK-ja ishte e organizuar në mënyrë hierarkike, përcjell Kosovo-Online.
Drecun shtoi se ishin mbledhur më shumë se 30 mijë dokumente me prova dhe qindra dëshmi të ndryshme.
“Ka edhe prova të mbledhura nga grupi punues që kam formuar dhe i cili ka punuar për gjashtë vjet për të mbledhur prova dhe fakte,” – u shpreh deputeti serb.
Sipas tij, ish-krerët e UÇK-së po akuzoheshin si për faj individual, ashtu edhe për ndërmarrje të përbashkët kriminale.
“Sado që mundohen të thonë se ky nuk është gjykim i UÇK-së, në fakt është gjykim i UÇK-së, sepse po flasim për një ndërmarrje të përbashkët kriminale...” – vazhdoi argumentet e tij Drecun.
Ai u shpreh se kishin pasur bashkëpunim të mirë me Prokurorinë e Gjykatës Speciale.
“Kemi identifikuar 159 paraburgime, gjashtë prej të cilave në Shqipëri dhe e kemi ofruar gjithë dokumentacionin për këtë gjë. Ata kontrolluan dyzet e më shumë vende, dhe aktakuza bazohet në to. Pastaj thanë (nga Prokuroria Speciale) se krimet do të lidheshin lehtë përmes atyre paraburgimeve” – u shpreh z. Drecun.




