Tri vendime, tri dënime: Mbi 48 vjet burg nga Specialja për ish-krerët e UÇK-së
Gjykata Speciale deri tash (16 korrik 2024) ka shpallur katër Aktgjykime dënuese, ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Specialja këtë të martë dënoi me 18 vjet burgim Pjetër Shalën, i njohur me nofkën “ujku”. Më parë Aktgjykim dënues Specialja shpalli për Salih Mustafën “Calin”, të cilin e dënoi fillimisht 26 vjet burgim, por që Apeli ia uli në 22 vjet. Edhe Nasim Haradinaj e Hysni Gucati u dënuan me nga 4 vjet e 3 muaj burgim.
Pjetër Shala
Ish-ushtari i UÇK-së, Pjetër Shala, u dënua me 18 vjet burg nga Gjykata Speciale në Hagë.
Vendimi është shpallur ditën e sotme nga gjyqtarët e Speciales.
Ai u gjet fajtor për veprat si: ndalim arbitrar, torturë, trajtim mizor e vrasje të paligjshme.
Kryetarja e trupit gjykues theksoi se të gjitha provat kanë dëshmuar se Pjetër Shala është fajtor.
“Në emër të popullit të Kosovës, për arsye të shtjelluara në aktgjykim, trupi gjykues në bazë të Ligjit iu shpall z.Shala fajtor për veprat penale në vijim: pika 1 ndalim arbitrar si krim lufte, pika 3 torturë si krim lufte, dhe pika 4 vrasje e paligjshme si krim lufte”, tha gjyqtarja.
“Z.Shala duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër penale, trupi gjykues ka përcaktuar dënim më vete për secilën vepër penale. Trupi gjykues ka përcaktuar dënimet në vijim: dënim me 6 vjet burg për krimin e luftës së ndalimit arbitrar, dënim me 16 vjet burgim për torturë, dhe dënim me 18 vjet burg për vrasjen e paligjshme. Ju dënon me dënim 18 vjet burg”, tha ajo.
Salih Mustafa
Gjykata Speciale e kishte dënuar me 26 vjet burgim, por më pas Apeli vendosi që Mustafën ta dënoi me 22 vjet burg. Pra i ka ulur 4 vjet nga dënimi i shkallës së parë.
Të gjitha ankesat e Salih Mustafës janë refuzuar, përveç faktit se trupi gjykues, sipas Apelit, ka tejkaluar kompetencat në lartësinë e dënimit.
Kjo duke mos marrë parasysh dënimet në Kosovë që kanë qenë për krime lufte. Andaj, bazuar në këtë, Apeli i ka ulur 4 vjet.
Në shkallën e parë, Mustafa ishtë dënuar me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturë dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Cali u dënua me 26 vjet dënim unik.
“Paneli i Apelit konstaton se analiza e trupit gjykues për legjislacionin shtetëror është e pamjaftueshme. Për këtë qëllim dhe lidhur me argumentin se dënimi është i lartë, Apeli ka analizuar jurisprudencën e ligjit të Kosovës, dhe dënimet atje. Dënimet nuk mund të zhvendosen lehtë nga një çështje në tjetrën. Paneli i Apelit konstaton se në rastet e Tribunalit të Hagës dhe gjykatat e Kosovës për krime lufte të krahasuar me rastin e Mustafës, dënimet e dhëna ishin më të shkurtra, ndonëse plotësisht i vetëdijshëm për diskrecionin, paneli konstaton se mospërputhja midis dënimit të z.Mustafa dhe dënimeve që analizoi paneli, tregon se trupi gjykues i tejkaloi kufinjtë e diskrecionit në këtë rast. Paneli i Apelit gjykon se duke dhënë z.Mustafa dënim jashtë proporcionit të arsyeshëm kohor me një varg dënimesh të ngjashme trupi gjykues ka kryer gabim të dallueshëm. Paneli i Apelit rrjedhimisht e gjykon të përshtatshme që dënimet individuale t’i ulë në dënime si vijon:
"8 vjet burg për pikën 1 për ndalim arbitrar. 20 vjet për burgim për pikën 3 për torturë dhe së treti 22 për pikën 4 të aktakuzës për vrasjen e paligjshme. Në përputhje me këtë Paneli duhet të përcaktojë në bazë të rregullës 163 duhet të pasqyrojë një dënim të njëhësuar. Në lidhje me këtë paneli gjykon se një dënim i njehsuar me 22 vjet burgim duke llogarit kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron tërësinë e veprimtarisë kriminale të Mustafës”, tha gjyqtarja Pichard.
Gucati e Haradinaj
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj përfundimisht u dënuan me nga 4 vjet e 3 muaj burgim nga Dhomat e Specializuara të Hagës, për veprat që lidhen me pengimin e drejtësisë.
Gucati dhe Haradinaj kanë përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim, dhe tani ndodhen në Kosovë, por me disa restriksione të parapara në Aktgjykimin e Speciales.