Sulmi ndaj ekipit të Nacionales: Një muaj paraburgim për të dyshuarin
Gazetarja Gentiana Hasani e kameramani Arbër Latifi, kishin shkuar në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, për të raportuar në lidhje me pezullimin e operacioneve në këtë spital. Ata hasën në pengesën e sigurimit të këtij spitali, i cili i kërrcënoi, e më pas i sulmoi edhe fizikisht. Gjykata Themelore në Gjakovë tashmë ka vendosur që për të dyshuarin I.J, të caktohet masa e paraburgimit prej 1 muaji.
Njoftimi i Gjykatës
“Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit I. J., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer tri vepra penale; kanosje, lëndim i lehtë trupor dhe marrje e pasurisë së luajtshme.
Sipas kërkesës, “me datën 19 korrik 2023, rreth orës 12:30, tek Spitali “Isa Grezda” në Gjakovë, i pandehuri seriozisht i kanos të dëmtuarit A. L. dhe G. H., në atë mënyrë që ditën kritike të dëmtuarit nuk lejohen nga i pandehuri që të xhirojnë në hapësirën brenda spitalit, dhe posa i dëmtuari A. L. del jashtë dyerve të spitalit i pandehuri e kanos me fjalët “të baj për emergjencë, nale kamerën se ta thej për kry, mos ma prek gishtin se ta marr shpirtin”, dhe e sulmon fizikisht duke e shtyrë ne regjionin e kraharorit dhe duke e goditur tek kamera, pastaj hyn brenda në kabinë e merr një shkop druri dhe më të e godet të dëmtuarin në regjionin e fytit, me ç ‘rast të dëmtuarit i shkakton lëndime të lehta trupore. Kur e vëren se po incizohet nga e dëmtuara G. H., të njëjtës i drejtohet me fjalët kërcënuese “nëse dalin videot dikun ti ki mu përgjigj privatisht edhe menjëherë dilem jashtë se të ngrehi zhag prejt ktuhi”, afrohet tek e dëmtuara dhe me forcë ia merr telefonin nga dora me qellim që ti fshijë video incizimet”.
Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer tri vepra penale, ”Kanosja”, “Lëndimi i lehtë trupor” dhe veprën penale “Marrja në posedim e pasurisë së luajtshme”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake Samedin Cena, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, duke marrë parasysh se hetimet formale janë në fazën fillestare të tyre dhe me gjetjen e të pandehurit në liri, rrezikohet ndikimi në dëshmitarë dhe dëmtimi i prova të tjera që do të sigurohen nga organi i akuzës.
I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 19 korrik 2023 dhe do të zgjasë deri më 18 gusht 2023. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Reagimet
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas sulmit që pësoi ekipi i Nacionales nga sigurimi i Spitalit të Gjakovës.
Në një postim në facebook, AGK-ja ka kërkuar që institucionet e drejtësisë ta trajtojnë rastin me prioritet.
Komunikata:
Sulmohet fizikisht kameramani i Nacionales në Gjakovë
Kameramani i gazetës online Nacionale, Arbër Latifi, është sulmuar fizikisht sot në afërsi të Spitalit të Gjakovës nga pjesëtari i sigurimit të këtij spitali.
Latifi së bashku me gazetaren, Gentiana Hasani, kishin shkuar në Spitalin e Gjakovës për të raportuar rreth ndërprerjes së të gjitha operacioneve që ishte bërë me arsyetimin e temperaturave të larta.
Sipas raportimeve të Nacionales, kolegët kanë marrë ndihmë mjekësore dhe gjithashtu ka dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës. Njëherësh, bëhet e ditur se pjesëtari i sigurimit që e ka kryer këtë sulm është ndaluar për 48 orë.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehet tejet i shqetësuar me sulmin fizik ndaj ekipit të Nacionales, dhe u bën thirrje organeve të drejtësisë ta trajtojnë me prioritet rastin.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka lëshuar një komunikatë në faqen e tyre në Facebook, ku ka dënuar sulmin ndaj ekipit të Nacionalës që u ushtrua nga sigurimi i Spitalit të Gjakovës.
“ShSKUK, e dënon veprimin e të punësuarve të Spitalit, që penguan punën e lirë të gazetarëve dhe medieve, duke garantuar dhe ofruar bashkëpunim të plotë me mediet dhe gazetarët.
ShSKUK, nuk ka qenë në dijeni për pengimin e gazetarëve, deri në publikimin e videos nga mediet.
Së shpejti do të bëhen publik hapat që do të ndërmerren në Spitalin e Gjakovës.” – shkruan në komunikatë ndër të tjera.