Sulmet në veri, kryeprokurori Isufaj: Jemi duke i identifikuar të dyshuarit - NACIONALE

Sulmet në veri, kryeprokurori Isufaj: Jemi duke i identifikuar të dyshuarit

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Në tri ditët e fundit, pjesa veriore e Kosovës nuk ka gjetur qetësi. Sulme ndaj Policisë gjatë dërgimit të komisionerëve në Zubin Potok, shpërthime me shok-bomba e të shtëna armësh janë dëgjuar në Veriun e Kosovës. Një polic mbrëmë edhe u plagos me armë zjarri. Tashmë për këto zhvillime Prokuroria Speciale e Kosovës po zhvillon hetime.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka thënë për gazetën Nacionale se po punojnë për identifikimin e të dyshuarve.

“Ne jemi duke hetuar, jemi duke identifikuar por nuk mund të them asgjë për momentin”, deklaroi shkurtimisht Isufaj.

Isufaj nuk ka pranuar të komentojë deklaratat e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili tha se në këto sulme janë të përfshirë ish-policët serbë që dhanë dorëheqje ditë më parë.

“Jo, jo, nuk i komentoj ato që fliten publikisht”, deklaroi Isufaj për Nacionalen.

Në anën tjetër, Isufajn një ditë më parë e ka kritikuar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. “Një vit e tre muaj, 15 muaj e ka në tavolinë, dosjen voluminoze, me krejt emrat e krejt fotografitë e incizimet, e personave që janë kryesorit, që e bëjnë organizimin e krimit në veriun e Kosovës. Dosjen e ka, po të garantoj e ka prej shtatorit të vitit të kaluar, me të gjitha eksponentët, me të gjitha detajet. Pse? Atë zotnin duhet ta thërrisni në emision dhe ta pyetni”, ka thënë Konjufca në RTV Dukagjini.

Ndaj kësaj deklarate, reagoi sërish Prokuroria Speciale, duke shtuar se i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për veprat penale në veri.

"Megjithatë për hir të njoftimit të drejtë, PSRK njofton se ka trajtuar shumë raste penale që kanë ndodhur në veri të Kosovës, disa prej të cilave kanë rezultuar me arrestime, aktakuza, dhe shumë prej tyre janë ende në shqyrtime gjyqësore, e disa prej këtyre rasteve janë të shënjestruara nga Ekipi i Përbashkët për Përzgjedhjen dhe Shenjëstrimin e Krimeve te Rënda të cilin e udhëheq Kryeprokurori i PSRK-së", thuhet në reagim.

Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë për Nacionalen se policët e dorëhequr, mund të jenë pjesë e “Brigadës së Veriut”, strukturës kriminale që funksionon në atë zonë.

May be an image of 1 person and outdoors

“Nëse i referohemi një gjendje faktike të pjesës veriore mund të themi që numrin prej 600 zyrtarëve policorë që ishin më herët pjesë e strukturave paralele tani mund të jenë pjesë e të ashtuquajturës "Brigada e Veriut " sepse Beogradi po tenton që të krijoj një atmosferë sigurie me impakt politik ku do të kemi pasoja në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Shala.

Pas kësaj situate, komisionerët e KQZ-së janë tërhequr, dhe nuk janë vendosur nëpër objektet e Komisioneve Komunale Zgjedhore.

Çfarë deklaroi Sveçla?

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, dje në një konferencë për media, sulmet në veri i quajti si akte terroriste. Ai tha se ka dyshime që në këto sulme, janë të përfshirë ish-policët serbë që dhanë dorëheqje.

“Policia e Kosovës është duke bërë hetime intensive në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale. Tashmë siç e thashë edhe më herët kemi informacionet e para që janë duke u verifikuara me më shumë se një kanal. Po mbledhen dëshmitë, filmimet apo dëshmitarët okularë për këto aktivitete dhe për këta persona të cilët kanë qenë pjesë e kësaj veprimtarie terroriste. Sipas disa informatave që kemi, disa nga pjesëtarët e grupeve janë ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës që kanë dhënë dorëheqje kohëve të fundit”, tha Sveçla.

May be an image of outdoors and brick wall

“Policia e Kosovës po angazhohet që të gjithë kriminelët e përfshirë në këtë sulm terrorist të sillen para drejtësisë. Kemi të dhënat e para nga terreni, qoftë nga Policia e rendit apo edhe nga Inteligjenca, e cila thotë se një pjesë e këtyre kriminelëve vijnë nga radhët e ish pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Edhe një herë u dëshmua ajo që kemi thënë se konflikti në këto komuna nuk është mes etnive. Por qytetarët pa dallim etnie dhe bandat kriminale ekstremiste. Pavarësisht kërcënimeve e sirenave të alarmit, qytetarët e Kosovës që jetojn atje nuk dolën të mbështesin kriminelët. Në ballafaqimin e shtetit ligjor me krimin, u dëshmua se qytetarët nuk përkrahën krimin. Institucionet e Kosovës janë në anën e së drejtës. Qëndrueshmëria jonë do të jetë garancë e triumfit të drejtësisë”, theksoi Xhelal Sveçla.

Ai paralajmëroi hetime të detajuara edhe nga institucionet e inteligjencës për të zbardhur sa më shpejt këto raste.

Situata e tensionuar në veri

Shok-bomba, të shtëna armësh e sulme ndaj Policisë. Kjo ka qenë situata gjatë dy ditëve të fundit në pjesën veriore të Kosovës.

Më 7 dhjetor në mbrëmje, në veri të Mitrovicës kanë ndodhur dy shpërthime me bomba trullosëse apo siç njihen ndryshe "shok-bomba".

Shpërthimet u raportuan të kenë ndodhur te një udhëkryq në “Lagjën e Boshnjakëve”.

Përkundër mohimit fillestar të policisë, banorët thanë se një tjetër shpërthim ka ndodhur në Mitrovicën Veriore të mërkurën mbrëma. E dje një polic u plagos në një fshat të Zveçanit.

Kjo pak kohë pasi Policia e Kosovës vendosi t'i shtojë forcat në pjesën veriore të vendit.

May be an image of indoor

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza ka thënë se situata në Veri është shqetësuese.

“Situata është shqetësuese. Normalisht që cenohet siguria e stabiliteti edhe i qytetarëve të asaj pjese. Ne jemi për ta bërë maksimumin në dobi të tyre dhe stabilitetit e ruajtjes së rendit dhe qetësisë.”, tha Hamza.

Hamza mes tjerash tha se sot në zyre priti zyrtarë të lartë nga KFOR-i.

“Sot në zyren time pata takim të nivelit të lartë me KFOR-in.”, tha Hamza.

Vendimi për shtyrjen apo jo të zgjedhjeve, pritet të merret nga liderët institucionalë. Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka theksuar se nuk ka kushte aktualisht për mbajtjen e zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme