“Sulm seksual ndaj një të miture”, Gjykata e Prishtinës sërish me dënim minimal
Gjykata Themelore në Prishtinë më datë 12 korrik, ka shpallur Aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit H.M, për vepërën “Sulm seksual”.
H.M, sipas këtij Aktgjykimi është vërtetuar se e ka sulmuar seksualisht një të mitur. Për këtë Gjykata e ka dënuar me 3 vjet burgim, të akuzuarin H.M. E në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, neni e paragrafi në të cilin janë thirrë Gjykata, dënimin prej 3 vjetëve e sheh si minimal, ndërsa maksimali është 10 vjet burgim.
Njoftimi i Gjykatës:
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit H.M për veprën penale Sulm seksual
Prishtinë, 12 korrik 2023 - Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti për të Mitur ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit H.M për shkak të veprës penale Sulm seksual nga neni 229 paragrafi 3, pika 3.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I akuzuari H.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej tri (3) viteve, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, në të cilin dënim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 27.07.2022 e deri më datë 10.05.2023. Të akuzuarit H.M i ndërpritet masa e paraburgimit me aktvendim të veçantë.
E dëmtuara e mitur me përfaqësuesin ligjor, për realizimin e kërkesës pasurore – juridike udhëzohet në kontest civil.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.