Shtyhet seanca për vrasjen e trefishtë në Gllogjan: Kryetarja e trupit gjykues drejt avancimit në Apel - NACIONALE

Shtyhet seanca për vrasjen e trefishtë në Gllogjan: Kryetarja e trupit gjykues drejt avancimit në Apel

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Seanca gjyqësor ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, është shty për një datë tjetër.

Kjo pasi që mbrojtja kërkoi shtyrjen e saj dhe mos vazhdimin e dëshmitarëve të mbrojtjes, me arsyetimin se kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova do të avancohet nga Themelorja në Gjykatën e Apelit.

Propozimin për shtyrje e dha mbrojtësja e të akuzuarit Kastriot Mehmetaj, avokatja Kosovare Kelmendi, duke thënë se po fillojnë një fazë të re të provave si dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes, e që sipas saj, është i padobishëm t’i mohohet trupit të ri gjykues që drejtpërsëdrejti t’i dëgjojë dëshmitarët.

Një mendim të tillë kishin edhe mbrojtësit e të akuzuarve tjerë avokatët Sylë Lokaj dhe Flotrent Latifi.

Edhe prokurorja Sahide Gashi, u pajtua duke pohuar se informatat për avancimin e kryetares së trupit gjykues janë të vërteta, mirëpo ajo shtoi se kryetari i gjykatës apo edhe vetë gjyqtarja duhet të kërkojnë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) që të shtyhet avancimi i saj deri tek përfundimi i kësaj lënde, pasi që me trupin e ri gjykues çdo gjë do të niste nga fillimi.

Prokurorja Gashi, gjithashtu tha se të dëmtuarit, fëmijët nuk duhet t’i nënshtrohen edhe një herë një përjetimi të kthyer në natën kritike, si dhe të akuzuarit që gjinden në masën e paraburgimit, e që sipas saj, në këto rrethana mendon se për të proceduar prapë dëshmitarët do të jetë një lloj maltretimi. /Betimi për Drejtësi

Lajme të ngjashme