Selimi në Speciale: Adem Jashari ishte kryesori në UÇK
Sylejman Selimi ka vazhduar dëshminë e tij në Hagë, ku tha se komandanti Adem Jashari, ka qenë njeriu kryesor në UÇK dhe se ai nuk ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm. Gjatë dëshmisë së sotme, është pyetur edhe për kohën kur Sylejman Selimi mori komandën e përgjithshme të UÇK-së, raportet e tij me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe të tjerët.
“Ademi ka qenë figura kryesore e ushtrisë. Ai vazhdimisht e ka pasë lidhjen me Shtabin e Përgjithshëm. Shtabi i Përgjithshëm gjithmonë ka kontaktuar me të. Shtabi i Përgjithshëm gjithmonë ka kontaktu me të. Normal në këtë kohë ka pasur edhe nëpër vende të ndryshme si Dukagjini edhe në Llap por nuk kam mujtë me i njoftë tanë në këtë periudhë. Anëtarët e shtabit i kanë pasur të gjithë anëtarët e vetë në të gjitha zonat. Normal çdo gjë që është bë është bë me plan të shtabit të përgjithshëm. Për shembull në Drenicë është komuniku prej komandantit Adem Jashari. Njëkohësisht të njëjtin plan e kanë marrë edhe zonat tjera”, tha Sylejman Selimi gjatë dëshmisë së tij.
Pjesë nga dëshmia e tij:
Gjykatësi: Prej nga vinin urdhrat dhe në drejtim të kujt shkonin?
Selimi: Nuk ka kuptim nëse Adem Jashari s’ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Unë e kam shpjegu se si ka shku por Adem Jashari ka qenë kryesor në organizim.
Gjykatësi: Jo jo, dëshmitar, unë po ju pyes, ju e dëgjuat tani kur thatë kush i jepte urdhra kujt?
Selimi: Unë cdo herë mund të them që kryesori në UCK ishte Adem Jashari. Unë e kam shpjegu se si është organizu Shtabi i Përgjitshëm nga mendimi jem. Unë i kam jep mendimet e mia.
Gjykatësi: Diku mes apo fund shkurtit 1999, ju u zgjodhët si komandanti i ri i përgjithshëm i UÇK. E kam kuptuar saktë? Javën e kaluar ju i thatë prokurorisë se nuk mund t’i ushtronit funksionet tuaja si komandant i përgjitshëm derisa të kthehej delegacioni i Rambujesë sepse ju duhet të komunikonit me ta paraprakisht. Ju keni thënë Rexhep Selimi tha se UÇK do ta provonte cilindo që do të zgjidhej komandant nga ky takim.
Selimi: Unë kam thënë që e kam marrë detyrën dhe kam qëndru në Drenicë. Nuk kam shku në pjesë tjetër.
Gj: Kur u kthyet në Drenicë, a u zëvendësuar nga dikush si komandant?
Selimi: Kur jam zgjedhë komandant i shtabit të përgjithshëm, njëkohësisht është propozu ose është emëru Sami Lushtaku.
Gj: Kush caktoi ose emëroi Sami Lushtakun për t’ju zëvendësuar juve?
Selimi: Aty për aty, automatikisht ka qenë zëvendëskomandant i Zonës Operative. Kur kam kalu Komandant i Përgjithshëm, ai ka kalu komandant i Zonës Operative. Nuk ka pasë naj emërim.
Gj: Lidhur me rolin e ri që ju caktuan në një periudhë të shkurtër. Ju keni thënë se jeni caktuar për tu përgatitur për operacionin Shigjeta dhe latë pozitën tuaj një ditë më pas. A është e saktë kjo? A mund të na tregoni se cka tjetër keni bërë si komandant i UÇK-së, gjatë këtyre katër apo pesë javëve?
Selimi: Masi jam zgjedhë komandant i përgjithshëm, jam shku e kam majtë një takim në Berishë ose një fshat tjetër, nuk e di.
Gj: Kush ishte i pranishëm në atë takim?
Selimi: Ka qenë Bislim Zyrapi, Rexhep Selimi, Fatmir Limaj, edhe disa të tjerë, Komandant Drini edhe dikush tjetër, nuk e di…
Gj: Çfarë qëllimi apo çfarë rezultate kishte pas atij takimi?
Selimi: Takimi, asgjë, jam njoftu me ta. Edhe marrë që me propozim të tyre që Komandant Drini të avancohet në Shtabin e Përgjithshëm. Ka qenë më shumë takim njohës mes vete. Mas këtij takimi jam kthy prapë për në Drenicë.
Gj: Përvec Komandant Drinit, a ju kujtohet ndonjë gjë tjetër sa i takon vendimmarrjes në këtë takim?
Selimi: Jo nuk e di, nuk më kujtohet.
Gj: Keni vendosur dicka tjetër nga pozita juaj si Komandant i UÇK-së?
Selimi: Jo.
Gj: A keni pasur staf ose personel që ju është dhënë nga Shtabi i Përgjitshëm apo jeni mbështetur tek njerëzit te zona e Drenicës?
Selimi: Nuk ka pasë kurrfarë personeli, kur jam kthy kanë qenë prapë personeli im, njerëzit e mi.
Gj: Përvec këtij takimi, gjatë kësaj periudhe, a jeni takuar me dikë prej Shtabit zoti Thaci, zoti Veseli, z.Krasniqi?
Selimi: Jo nuk më kujtohet.
Gj: A keni lëshuar ndonjë komunikatë ose deklaratë politike gjatë kohës sa keni qenë Komandant i përgjithshëm? A keni takuar dikë nga Shtabi i Përgjithshëm?
Selimi: Jo, nuk më kujtohet, përvec me Bislim Zyrapin.
Gj: A keni lëshuar ndonjë urdhër për anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm?
Selimi: Jo nuk më kujtohet.
Në një fazë tjetër të dëshmisë, Sylejman Selimi u pyet rreth kohës së krijimit të Qeverisë së Përkohshme.