Reagim: Nacionale ka transmetuar vetëm kërkesën e Prokurorisë, qe pse Rron Gjinovci e ka gabim - NACIONALE

Reagim: Nacionale ka transmetuar vetëm kërkesën e Prokurorisë, qe pse Rron Gjinovci e ka gabim

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gazeta Nacionale sot ka publikuar detajet e një parashtrimi të Prokurorisë së Specializuar në Hagë, lidhur me vazhdimin e paraburgimit për Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Aty, Prokuroria kishte cituar disa deklarata të aktivistit të shoqërisë civile, Rron Gjinovci, në një emision në KTV.

Raportimi i Nacionales nuk i ka pëlqyer Gjinovcit, pavarësisht se gazeta e ka publikuar të plotë komplet parashtrimin e Prokurorisë dhe gjithashtu transkriptin e intervistës së Gjinovcit.

Ky i fundit në një postim në facebook ka shkruar se “Nacionale nuk e shkrun të vërtetën që prokuroria u thirrë te komentet kërcënuese ndaj meje kur folsha para pak javëve për procesin në Hagë, por thotë që komentet e mia po ia vazhdojnë paraburgimin”.

Qysh në start Gjinovci e thotë një të pavërtetë të madhe. Nacionale në asnjë moment nuk ka thënë që komentet e Gjinovcit ia kanë vazhduar paraburgimin Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit. Nacionale ka thënë se Prokuroria ka shfrytëzuar disa deklarata të Gjinovcit për të kërkuar nga Gjykata ta vazhdojë paraburgimin. Madje, për këtë ende nuk ka vendim, por kjo ishte vetëm një kërkesë e Prokurorisë. Pra, Prokuroria nuk ia vazhdon paraburgimin askujt.

Gazeta Nacionale nuk ka shpikur asgjë. As nuk ka keqinterpretuar asnjë fjali. Fjalët që Rron Gjinovci ka thënë në atë debat janë përmendur nga Prokuroria e Hagës, dhe ato Nacionale i ka transmetuar pa hequr asnjë pikë e asnjë presje. Tentativa e Gjinovcit për të theksuar se Prokuroria i ka përdorur komentet kërcënuese ndaj tij, e jo deklaratat që ka dhënë në emision, demantohet me faktin që Prokuroria nuk është ndalur vetëm te përgjigjet e Gjinovcit për komentet që ka pranuar. Por, te 15 faqe pyetje-përgjigje që ai ka folur.

Gjinovci në disa prej komenteve në postimin e tij pretendon se “shkelja flagrante e Nacionales” është në titull. Titulli i Nacionales ishte: “Prokuroria shfrytëzon deklaratat e Rron Gjinovcit: Kërkon t’iu vazhdohet paraburgimi Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit”.

Prokuroria nëse do të përdorte vetëm komentet kërcënuese, nuk do ta transkriptonte një pjesë të madhe të intervistës. Prokuroria ka cituar Rron Gjinovcin edhe në tema të tjera që ai ka folur rreth UÇK-së, dhe si rezultat, deklaratat e tij janë shfrytëzuar, gjë për të cilën Nacionale nuk ka thënë që ka diçka të keqe.

Këtu hyjnë deklaratat e tij se sa ka luftuar Kadri Veseli e Hashim Thaçi, se si ka ndryshuar qëndrim Donika Gërvalla dhe detaje të tjera që mund t’i lexoni më poshtë.

Qysh në hyrje të parashtrimit të Prokurorisë nuk përmenden komentet kërcënuese të cilat i ka pranuar Gjinovci. Përmendet komplet përmbajtja e emisionit, përfshirë deklaratat e Rron Gjinovcit.

“Përmbajtja e një talk shoë televiziv të Kosovës që u transmetua më 4 prill 2023, prezanton qartë shtrirjen e plotë të kësaj çështjeje shqetësuese. Një i ftuar në emision, i cili ka shprehur mendimin se anëtarët e UÇK-së, përfshirë të Akuzuarit në këtë rast, mund të ketë kryer krime, përshkroi 'terrorin' mbi lirinë e fjalës në Kosovë lidhur me këtë çështje. I ftuari e përshkroi etiketimin e tij, ose të kujtdo tjetër që vuri në dyshim narrativën mbizotëruese të UÇK-së, si bashkëpunëtor, spiun, tradhtar dhe/ose dikush i lidhur me Serbinë. I ftuari vazhdoi të tregojë reagimet ndaj një videoje që ai kishte postuar së fundmi në internet, e cila kishte marrë mbi 1400 komente, shumica e të cilave ishin negative, dhe shumë prej të cilave e etiketonin atë me termat e mësipërm, disa shkuan deri aty sa e kërcënon fizikisht”, thuhet në këtë parashtrim të Prokurorisë. Pra, Nacionale nuk ka shpifur e as etiketuar askënd, vetëm e ka transmetuar atë që ka shkruar Prokuroria e Specializuar në Hagë.

Qe pse Rron Gjinovci e ka gabim

Prokuroria parashtrimin e saj me kërkesën për vazhdimin e paraburgimit e ka paraqitur në 13 faqe. Kurse, si një aneks dokument është transkripta e përgjigjeve që Gjinovci ka dhënë në këtë emision. Pra, përveç komenteve kërënuese për të cilat Gjinovci ka folur në emision, Prokuroria specifikon edhe disa përgjigje të tij në këtë debat.

Pyetja që duhet të shtrohet në këtë kontekst është esenciale: Pse Prokuroria i përktheu 14 faqe debat, nëse i ka marrë parasysh vetëm komentet kërcënuese të Gjinovcit ashtu si pretendon ky i fundit.

Qe një deklaratë që e ka përdorur Prokuroria të Rron Gjinovcit, e nuk përmenden askund kërcënimet ndaj Gjinovcit. Kjo duke faktuar se Prokuroria nuk i ka marrë parasysh vetëm komentet kërcënuese, por edhe deklaratat e këtij të fundit.

Rron Gjinovci: “Mendoj se dje kanë marrë shpjegime shumë ngjarje të fundit në shoqërinë tonë. E kam fjalën për marshin (marshimin e së dielës së 2 prillit në Prishtinë në mbështetje të pjesëtarëve të UÇK-së që u paditën nga Dhomat e Specializuara), llojin e dhunës dhe diskursit se lufta nuk duhet të diskutohet, krimet e mundshme që janë kryer nga joserbët në Kosovë gjatë dhe pas luftës. Nuk e di a e mban mend opinioni, mendoj se tani ka ardhur koha që t'i kërkojmë falje Shkëlzen Gashit, i cili në pozitën e këshilltarit të Albin Kurtit kishte përmendur se në Kosovë shumë njerëz janë vrarë, janë zhdukur dhe këto janë kryer nga pjesëtarët e UÇK-së. Asokohe kujtoj se kishte një histeri kolektive, kur njerëzit donin ta hanin të gjallë Shkëlzen Gashin. Histeria kolektive kishte arritur deri aty sa që kryeministri (Kurti) u detyrua të shkarkojë Shkëlzen Gashin. Sot më dukej qesharake dhe e dhimbshme të shoh avokatët mbrojtës të Hashim Thaçit duke thënë: Ne nuk i mohojmë krimet që ka bërë UÇK-ja. Kjo është ajo që ata thanë fjalë për fjalë. Ata thanë se, klienti im nuk i mohon krimet që ka bërë UÇK-ja, por ai nuk kishte dhënë urdhra apo kishte vendosur që krime të tilla (të kryheshin)”

Prokuroria ka përkthyer edhe deklaratën ku Gjinovci flet se si avokatët e Thaçit e të tjerëve e kanë pranuar që klientët e tyre nuk kanë luftuar. E në fund të paragrafit Gjinovci flet për mesazhet kërcënuese që ka pranuar, të cilat Nacionale i dënon plotësisht. Gjinovci shprehet saktësisht: “Në Kosovë ka terror mbi lirinë e fjalës për këtë çështje”.

Gjinovci: “Në Kosovë ka terror mbi lirinë e fjalës për këtë çështje. Dy ditët e fundit po shkruaj statuse, mendime për këtë çështje dhe po bëj pyetje të rëndësishme. Unë jam rritur në Kosovë ku ata ishin dragonj. Ata kanë fluturuar gjatë luftës. Kadri Veseli ishte hedhur nga aeroplani për të ardhur në Kosovë pasi nuk mundi të ulej në Drenas. A ju kujtohet historia e Baton Haxhiut kur u ngrit aktakuza? Avokatët mbrojtës të Veselit dhe Thaçit sot thanë se ata nuk kanë qenë fare në Kosovë, nuk kanë lidhje apo pushtet mbi UÇK-në. Teksa po flas, në telefonin tim po marr mesazhe kërcënuese, fyese në llogaritë e mia në rrjetet sociale”

Tjetër deklaratë të cilën Prokuroria e ka përkthyer e që s’ka asnjë ndërlidhje me komentet kërcënuese, është një paragraf ku ai flet për ministren e Jashtme, Donika Gërvalla.

Gjinovci: Është Donika Gervalla, e cila tha, po pres me padurim krijimin e Dhomave të Specializuara që t'u them se çfarë di për vrasjet e LDK-së (anëtarëve). Kështu ka thënë ministri ynë i Jashtëm. Sot ministrja jonë e Jashtme bën deklarata krejtësisht të ndryshme, të parëndësishme kur pyetet për këtë çështje. Pra, imagjinoni, edhe një person në pushtet, siç është ministri i Jashtëm, i cili ka mbështetjen e 50% (të popullsisë së Kosovës), nuk guxon më të thotë të vërtetën

Pra, Prokuroria ka cituar deklaratat e Gjinovcit në këtë emision jo vetëm për të treguar se ai ka pranuar kërcënime. Por, ka prezantuar edhe këndvështrimin e tij se si në përgjethsi etiketohen ata që kanë qëndrime se pjesëtarë të UÇK-së mund të kenë kryer krime, se si ka ndryshuar qëndrim edhe Donika Gërvalla.

Nacionale për korrektësi ua ofron dokumentacionin zyrtar:

KËRKESA E PROKURORISË PËR PARABURGIMIN

DEKLARATAT E GJINOVCIT TË CITUARA NGA PROKURORIA

Lajme të ngjashme