Raportimet e Nacionales për skandalet në IPFK: Prokuroria nis hetimet - NACIONALE

Raportimet e Nacionales për skandalet në IPFK: Prokuroria nis hetimet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Autor: Oqean Dërmaku

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se pas raportimeve të Gazetës Nacionale, ka nisur hetimet rreth dyshimeve për keqpërdorime brenda Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, që funksionon në kuadër të QKUK-së.

"Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës, Njësinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, për t'i trajtuar pretendimet e gazetarit Oqean Dërmaku", thuhet në përgjigjen e Prokurorisë të para disa ditëve.

Gazeta Nacionale ka raportuar në vazhdimësi për dyshimet për keqpërdorime brenda IPFK-së, në krye me drejtorin Shpend Haxhibeqiri.

Në njërin rast, një pacient ishte larguar nga IPFK, ndërkaq drejtuesit e institucionit, përfshirë përgjegjësit e ndërrimit, nuk kishin njoftuar Policinë e Kosovës, ashtu siç parashihet me Ligj.

Policia ishte njoftuar për rastin vetëm pasi gazetari nga Nacionale, Oqean Dërmaku, kishte kontaktuar drejtorin e IPFK-së, Shpend Haxhibeqirin, i cili fillimisht e kishte mohuar largimin e pacientit nga IPFK.

Më vonë, ishte konfirmuar se pacienti ishte larguar dhe pas disa ditëve ishte kthyer në IPFK.

Për të gjitha këto veprime, policia ishte njoftuar vetëm pasi që pacienti ishte kthyer në institut dhe pasi rasti ishte bërë mediatik.

Një rast tjetër skandaloz për të cilin Gazeta Nacionale kishte raportuar, ishte raporti i ekspertëve psikiatrik të IPFK-së në rastin e logopedit Iljasa Fazliu, i cili ishte akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm ndaj një vajze 4-vjeçare, e cila kishte shkuar për trajtim tek logopedi, por dyshohet se ishte ofenduar e përballur me sjellje të papërshtatshme nga logopedi Fazliu.

Tre psikiatrat e IPFK-së, Blerina Hoxha, Ajet Bunjaku dhe drejtori i IPFK-së, Shpend Haxhibeqiri, kishin përpiluar një raport që ishte në favor të logopedit, ku dyshohet se kanë krijuar rrethana lehtësuese për Iljasa Fazliun, duke ndihmuar kështu që Gjykata ta lirojë logopedin nga akuza, pasi që e njëjta ishte bazuar në raportin e ekspertëve të IPFK-së.

Skandali qëndronte tek fakti se i gjithë raporti i psikiatrave të IPFK-së, ishte përpiluar pa e takuar asnjëherë vajzën 4-vjeçare, viktimë në këtë rast. Pas këtij raportimi të Gazetës Nacionale, ishin organizuar edhe protesta nga organizata të ndryshme kundër vendimit të Gjykatës.

Në protestë, kërkohej edhe heqja e licencës së psikiatrave që kishin përpiluar raportin skandaloz. Pas raportimit, Prokuroria Themelore në Gjilan ishte ankuar ndaj vendimit të shkallës së parë të Gjykatës dhe rasti është duke u trajtuar në Gjykatën e Apelit.

Gazeta Nacionale kishte raportuar edhe për disa dyshime për shkelje të ndryshme të procedurave dhe Ligjit brenda Institutit të Psikiatrisë Forenzike, të cilat nuk dihet a janë pjesë e hetimit policor që është autorizuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

E pas gjithë raportimeve që ishin bërë rreth dyshimeve për këto shkelje, si duket Prokuroria Themelore në Prishtinë tashmë veçse ka ndërmarrë hapat e parë për zbardhjen e këtyre rasteve.

Personat e lartpërmendur, janë të pafajshëm dhe mbetet të konfirmohet nga organet kompetente nëse të njëjtit kanë bërë shkelje ligjore përmes veprimeve që kanë ndërmarrë.

Lajme të ngjashme