Prokuroria kërkon paraburgim për tre kryesues të QN-së në Prizren – për çka dyshohen ata? - NACIONALE

Prokuroria kërkon paraburgim për tre kryesues të QN-së në Prizren – për çka dyshohen ata?

2 javë më parë

nga NACIONALE

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit po zhvillohet seanca ku pritet të vendoset për kërkesën e prokurorisë që tre të dyshuarve, të përfshirë në dyshimet për ndërhyrje në rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve nacionale të 28 dhjetorit, t’u caktohet paraburgim njëmujor.

Sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”, Prokuroria Themelore në Prizren, në seancën e parë të grupit prej 30 personash nga gjithsej 109 të ndaluar, ka kërkuar paraburgim për tre prej tyre, nën dyshimet për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”.

Kërkesa, sipas të njëjtave burime, është parashtruar ndaj kryesuesit me inicialet A.K. (Lëvizja Vetëvendosje), O.Sh. (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës) dhe V.B. (subjekti politik BD/AKK).

Për A.K., dyshimet lidhen me rolin e tij si pjesë e ekipit të numërimit në disa vendvotime, ku ai dyshohet se ka shtuar, hequr apo fshirë vota ose nënshkrime, duke regjistruar pasaktësisht rezultatet. Si pasojë, sipas këtyre informacioneve, A.K. dyshohet se ka falsifikuar rezultate në gjithsej 378 vota.

Ndërkaq, për O.Sh., sipas arsyetimit të prokurorisë të cituar nga mediumi, dyshimet kanë të bëjnë me regjistrimin e pasaktë të votave apo rezultateve në dokumentet zgjedhore, në cilësinë e kryesueses së komisionit.

Sipas prokurorisë, në vendvotimin 2041/02 dyshohet se janë hequr 69 vota dhe janë shtuar 25 (diferencë 94 vota), ndërsa në vendvotimin 2049/02 dyshohet se janë hequr 21 vota dhe janë shtuar 45 (diferencë 66 vota).

“Duke regjistruar në mënyrë të pasaktë votat apo rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore, në cilësinë e kryesueses së komisionit në vendvotimin 2041/02, ka hequr 69 vota dhe ka shtuar 25 vota, në diferencë prej 94 votash; ndërsa në vendvotimin 2049/02 ka hequr 21 vota dhe ka shtuar 45 vota, në diferencë prej 66 votash…”, thuhet mes tjerash.

Për V.B., prokuroria e dyshon se, si kryesues i komisionit, ka regjistruar në mënyrë të pasaktë votat apo rezultatet në dokumentet përkatëse. Sipas shpjegimeve të prokurorisë, në vendvotimin 2012/02 dyshohet se janë hequr 242 vota dhe janë shtuar 204 (diferencë 466 vota), ndërsa në vendvotimin 2017/01 dyshohet se janë hequr 529 vota dhe janë shtuar 260 (diferencë 789 vota).

“…në vendvotimin 2012/02 ka hequr 242 vota dhe ka shtuar 204 vota, në diferencë prej 466 votash; ndërsa në vendvotimin 2017/01 ka hequr 529 vota dhe ka shtuar 260 vota, në diferencë prej 789 votash…”, thuhet në shpjegimet e prokurorisë.

Ndërkohë, Prokuroria pritet të vazhdojë me kërkesa për masa sigurie edhe ndaj 20 kryesuesve të tjerë, proces që do të zhvillohet në tri seanca të ndara gjyqësore.

Lajme të ngjashme