Probleme me informimin në shqip: Krerët e UÇK-së ankohen për kanalet televizive në Qendrën e Paraburgimit
Krerët e Ushtrisë Çlirimtare në Hagë, po ankohen lidhur me qasjen në informacion dhe në media shqip.
Gazeta Nacionale kishte raportuar se në një ankesë që ata e kishin dërguar në adresën e Gjykatës Speciale, ankoheshin edhe për problemet me qasje në media.
Këto shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe të akuzuarve ashtu siç edhe e kanë nënvizuar Thaçi dhe të tjerët, po ndodhin në kohën më kritike të mundshme kur mbrojtja po përgatit çështjen e vet që do ta prezantojë në gjykatë.
Siç ka mësuar Nacionale, ata në Qendrën e Paraburgimit mund ta shohin vetëm televizionin publik të Kosovës. Madje, në rrjetin satelitor.
Burimet kanë thënë se numër të madh kanalesh që u shfaqen janë arabe, por ka edhe serbe.
Si rezultat, ata janë ankuar se kjo është e pamjaftueshme.
Nga Gjykata Speciale, kanë dhënë një përgjigje për Nacionalen për këtë temë.
“Kur bëhet fjalë për aksesin në media, të paraburgosurit kanë akses në stacionet televizive në gjuhën shqipe, përfshirë RTK-në, si dhe në gazetat e përditshme”, thuhet në përgjigje, megjithatë pa specifikuar në cilat media.