E konfirmuar: Policia e Kosovës arreston dy të dyshuar për përfshirje në grabitjen e armatosur në Suharekë
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar si të përfshirë në grabitjen e armatosur në Suharekë, ku një polic mbeti i plagosur dhe një tjetër i lënduar.
Lajmin për Nacionalen e ka konfirmuar prokurorja në Prokurorinë e Prizrenit, Ervehe Gashi.
Ajo ka bërë të ditur se të dyshuarit janë duke u intervistuar.
“Janë arrestuar dy personat të cilët dyshohen për lidhje me grabitjen në komunën e Suharekës. Të njëjtit janë duke u intervistuar. Më pas do të shohim se si do të veprohet tutje”, thuhet në përgjigje.
Ndonëse grabitësit e argjendarisë mbeten ende në arrati, Policia e Kosovës dje konfirmoi se ka gjetur në një veturë në fshatin Jezerc, e cila dyshohet se është përdorur për grabitjen e armatosur në Suharekë.
“Mund të konfirmojmë se sot, në orët e pasditës pas hetimeve të zhvilluara, në fshatin Jezerc është gjetur vetura e cila dyshohet se ishte përdorur në rastin e grabitjes në Suharekë”, thuhej në njoftim.
Më 22 nëntor, një grabitje e rëndë ndodhi në një argjendari në komunën e Suharekës. Nga video që kishte siguruar gazeta Nacionale, katër persona të armatosur grabiten argjendarinë. Ata ishin të maskuar, derisa në duar mbanin armë të gjata.
Prokurorja Gashi bëri të ditur për Nacionalen ditë më parë se shuma e arit të vjedhur në grabitjen e rëndë në Suharekë, është 250 mijë euro.
“Shefi i hetimeve në kuadër të Policisë më ka thënë 250 mijë euro. Procesimi i vendit të ngjarjes po vazhdon, 2 policë janë plagosur. Nuk kanë lëndime serioze, kanë në këmbë lëndime”, tha Gashi për Nacionalen.