Plagosja paradite, vrasja në mbrëmje: Katër të dyshuarit ende në arrati - NACIONALE

Plagosja paradite, vrasja në mbrëmje: Katër të dyshuarit ende në arrati

4 javë më parë

nga NACIONALE

Një plagosje që ndodhi dy ditë më parë në Kolovicë, kulmoi në mbrëmje me një vrasje të dyfishtë.

Nga gjuajtjet me armë zjarri mes dy grupeve mbeti i vrarë një i ri, kurse gjithashtu u qëllua për vdekje edhe një kalimtare e rastit e cila nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.

Dy ditë pas ngjarjes, katër të dyshuarit se janë të përfshirë në këtë rast vazhdojnë të jenë të pakapshëm për Policinë e Kosovës.

Detajet rreth arsyeve që kanë çuar deri te këto raste ende nuk dihen.

Plagosja e paradites

Nga disa të shtëna me armë zjarri në lagjen Kolovica të Prishtinës, të martën mbeti i plagosur një person. Rasti u cilësua nga Policia e Kosovës si vrasje në tentativë.

“Prishtinë 26.03.2024-13:50. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, derisa ka qenë në shoqëri me dy persona me veturën me targa lokale, nga vetura ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij disa herë. I njëjti ka pësuar lendime trupore dhe ka pranuar tretman mjekesor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore. Nga njësiti policor është hasur edhe vetura e dyshuar e braktisur. Në konsultim me prokurorin vetura e dyshuar sekuestrohet dhe rasti inicohet si i tillë”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Për këtë rast, në kërkim janë shpallur dy persona. Megjithatë, ata ende nuk janë kapur nga Policia e Kosovës.

“Njësiti i hetimeve të përgjitshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e personave të dyshuar. Personat e dyshuar Fitim (Skender) Doda dhe Arijan (Arif) Sijarina, kërkohen për veprën vrasje në tentativë që ka ndodhë me datën 26.03.2024 në rrugën "Haxhi Zeka" në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas burimeve jozyrtare, këta dy persona që dyshohen se qëndrojnë pas plagosjes paradite, u bënë cak i sulmit të këtij grupi në mbrëmje, ku u vra një nga miqtë e tyre që ishte në veturë.

Vrasja e pasdites

Sulmi me qëllim hakmarrjen në orët e mbrëmjes, i kushtoi rëndë njërit prej të rinjve që ishte në veturë. Nga plumbat pësoi edhe një 48-vjeçare e cila ishte në veturë afër shtëpisë së saj, dhe nuk kishte asnjë lidhje me krejt ngjarjen.

“Në këtë rast katër persona kanë marrë lëndime nga arma e zjarrit (dy nga ta lëndime të rënda), ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime nga gotitja e njërit prej automjeteve të përfshira në rast. Si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit njëri nga personat e plagosur : E. H, mashkull, 30 vjeç, ka vdekur mbrëmë, ndërsa sot rreth orës 11:00 nga QKUK jemi njoftuar se edhe viktima e dytë Z.G, femër, 48 vjeç, ka vdekur. E ndjera është qëlluar nga arma e zjarrit derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj ,nuk ishte e pjesë e palëve të përfshira në rast”, thuhet nga Policia e Kosovës.

Edhe për këtë rast, Policia ka shpallur në kërkim dy persona.

“Njësiti i hetimeve të përgjitshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e personave të dyshuar. Personat e dyshuar Ahmet ( Ali) Berisha dhe Naim (Ali) Berisha kërkohen për veprën vrasje e rëndë që ka ndodhë mbrëmë. Ndonëse janë ndërmarrë një sërë veprimesh nga ana e policisë, kërkimi i vazhdueshëm, bastisja e disa lokacioneve etj. personat e dyshuar vazhdojnë të ndodhen në arrati, andaj për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e vendodhjes së personave të dyshuar na kontaktoni direkt”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Lajme të ngjashme