Pjetër Shala: Nuk është normale që një gjykim të bëhet pa seanca publike, pa e ditur qytetarët e Kosovës si po gjykohen njerëzit
Ish-eprori i UÇK-së, Pjetër Shala, i dënuar me 13 vjet burg nga Gjykata Speciale, ka kritikuar më së shumti mungesën e seancave publike në gjykimin ndaj tij.
Në një intervistë nga Haga për Nacionalen, Shala tha se nuk është normale që një gjykim të zhvillohet pa qenë qytetarët e Kosovës në gjendje ta kontrollojnë procesin.
“Kritikat dhe argumentet e mia janë të shumta, por unë nuk mendoj se duhet t’i ekspozoj këtu. Një nga kritikat kryesore që kam ndaj mënyrës se si jam gjykuar, lidhur me mungesën absolutisht jonormale të seancave publike dhe të vetë gjyqit. Kjo ishte aq e tepruar saqë njerëzit që dëshironin të ndiqnin gjyqin hoqën dorë, sepse numri dhe kohëzgjatja e momenteve jopublike e bënin të pamundur të kuptohej ose reflektohej mbi atë që po ndodhte dhe po thuhej në seancat. E kuptoj plotësisht që është e nevojshme të mbrohen disa dëshmitarë që mund të jenë në rrezik. Por nuk është normale që një gjyq të jetë organizuar pa qenë publiku dhe qytetarët e Kosovës në gjendje të dinë të kontrollojnë si gjykohen njerëzit”, tha ai.
Komandant Ujku përmendi prova të falsifikuara e gënjeshtra, të cilat sipas tij, u përdorën nga Prokuroria e Hagës gjatë procesit.
“Nuk mund ta imagjinoni numrin e gënjeshtrave dhe të pavërtetave të përmbajtura në dosjet e paraqitura nga prokurori, deri në atë pikë sa nuk e kuptoj se si vetë prokurori nuk e ka vënë re këtë: kjo më trishton dhe e bën paraburgimin tim më të vështirë. Me ndihmën e avokatëve të mi, të cilët kam fatin t’i shoh rregullisht, kam arritur të provoj se disa nga dokumentet e paraqitura ishin falsifikime ose se prova të tjera kundër meje, ishin thjeshtë të sajuara dhe në kundërshtim me realitetin. Kjo më jep shpresë sepse dua të bej se drejtësia mund të bëhet, por këto shpresa pothuajse gjithmonë po shuhen, dhe kjo më bërë të ndjej se çdo mbrojtje mund të jetë e kotë”, tha ai më tutje.
Sipas Shalës, gjyqtarët i morën parasysh shumicën e pretendimeve të Prokurorisë, por pak e fare ato të mbrojtjes së tij.
“Gjithçka që ishte thënë në mbrojtjen time u hodh poshtë, ose madje u injorua, ndërsa pothuajse gjithçka që ishte paraqitur kundër meje u pranua ose u interpretuar si e vërtetuar, edhe kur dëshmitarë – edhe nganjëherë dëshmitarë të vet prokurorisë – dolën për të hedhur poshtë këto informacione. Nuk kishte asnjë provë materiale kundër meje dhe gjithçka u bazua në dëshminë e disa personave, deklaratat e të cilëve u kundërshtuan kryesisht. Në një moment, kjo u bë e padurueshme, dhe kuptova se ajo që po përjetoja ishte një realitet, një realitet më i keq se ç’mund të kisha imagjinuar në frikërat e mia më të këqija. Me të vërtetë ndjeva, dhe ende ndjej edhe sot, se isha viktimë e një padrejtësie të vërtetë që po më rrethonte dhe po më shtypte”, tha Shala.