Pesë vjet nga vrasja e Oliver Ivanoviq: Dëshmitarët e frikësuar, “bosët e krimit” në arrati
16 janari shënon edhe një përvjetor të vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq. Që nga atëherë drejtësia ende s’e ka thënë fjalën e vetë për këtë rast. Një gjykim është duke vazhduar, disa dëshmitarë po frikësohen të tregojnë atë që dijnë për shkak të kërcënimeve, kurse dy të dyshuarit kryesorë për vrasjen e Oliver Ivanoviq janë në arrati.
Më 16 janar të vitit 2018, politikani serb Oliver Ivanoviq, po shkonte në selinë e partisë së tij siç bënte çdo ditë tjetër. Megjithatë, ajo ditë doli të ishte fatale për politikanin kundërshtar të Listës Serbe. Ai u qëllua në hyrje të selisë së partisë nga persona që ende llogariten të panjohur.
Megjithëse emrat e vrasësve ende nuk dihen, në krye të gjithë organizimit për vrasjen e Ivanoviqit dyshohet të jenë ‘bosët e veriut’ Milan Radojiçiq e Zvonko Veselinoviq. Të dy në arrati, pavarësisht një aktakuze të ngritur nga Prokuroria.
Në muajin nëntor të vitit 2020, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Të akuzuarit janë: Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq. Këta akuzohen se bashkë me Radojiçiqin e Veselinoviqin, si pjesë e një grupi kriminal në veri, kanë ndihmuar në vrasjen e Oliver Ivanoviq.
Megjithatë, kanë qenë disa dëshmitarë që të ftuar në këtë proces gjyqësor, nuk kanë pranuar të përgjigjen. Kjo pasi kanë pranuar kërcënime të ndryshme, ku të përfshirë dyshohet se janë strukturat kriminale në pjesën veriore të Kosovës.
Frika e dëshmitarëve
Pavarësisht se me identitet të mbrojtur, pa emër e figurë, disa dëshmitarë nuk kanë pranuar të japin dëshmitë e tyre në këtë proces gjyqësor. Ata po ndihen të frikësuar, për shkak të kërcënimeve që kanë marrë në vazhdimësi.
Avokati Musa Damati mbron të akuzuarën Silvana Arsoviq. Kjo e fundit kishte qenë sekretare e Oliver Ivanoviqit, dhe dyshohet se e njëjta ka qenë në dijeni që kamerat në ditën e krimit nuk kanë qenë duke funksionuar.
Avokati Damati e ka vlerësuar këtë proces gjyqësor ndërlidhet me një nga vrasjet më misterioze në Kosovën e pasluftës.
“Aëherë, ky është rasti i nivelit shqyrtimit gjyqësor më të lartë politik në Kosovë, pasi kemi të bëjmë me vrasjen e një kryetari të një subjekti politik, që ka vepruar në Kosovë. Poashtu është ndër rastet më vuluminoze, dhe mbetet vrasja më misterioze në periudhën e pasluftës në Kosovë”, ka thënë Damati për Nacionalen.
Në lidhje me tërheqjen e dëshmitarëve, Damati ka theksuar që përkundër se atyre iu është ofruar mbrojtje e plotë, ata gjatë procesit janë tërhequr.
“Si proces ka pasur shumë vështirësi të paprecedent më parë në aspektin e sigurimit të dëshmitarëve, është një situatë e paprecedent në aspektin e dëshmitarëve të mbrojtur, të cilët edhe pse kanë pasur mbrojtje e fortifikuar dhe anonimitet të plotë megjithatë ata gjatë seancave kanë refuzuar të dëshmojnë dhe të japin dëshminë e tyre në këtë proces, me arsyetimin se jeta e tyre dhe e familjes është në rrezik nëse dëshmojnë. Procesi po shkon drejt fundit, por megjithatë ka edhe shumë persona të tjerë të cilët aktakuza i përshkruan si persona N N të panjohur, të cilët dyshohet se kanë qenë të involvuar në këtë atentat, dhe nuk është arrit asnjëherë që të sillen para drejtsisë në këtë proces”, ka përfunduar Damati.
Kurse avokati Faruk Korenica që mbron të akuzuarin Nedeljko Spasojeviq nuk ka pranuar të komentojë shumë për procesin gjyqësor që po zhvillohet. I pyetur në lidhje me tërheqjen e disa dëshmitarëve si pasojë e frikës nga kërcënimet, ai e ka fajësuar edhe Prokurorinë Speciale.
“Tash rasti është në gjykatë, nuk mundem me u përgjigj. Me siguri me vullnet nuk tërhiqen, por me presion, kanë kërcënime, po tuten. Mirëpo s’ka pasur nevojë me u tërheq. Unë mendoj se ata janë kanë të gatshëm të jenë dëshmitarë sikur të tjerët, mirëpo me institimin e Prokurorit të Shtetit, më mirë ka thënë dëshmitarë të mbrojtur. Ma merr mendja që kërcënimet janë prej këtyre strukturave kriminale”, ka thënë Korenica për gazetën Nacionale.
Më herët lidhur me këtë rast ka pasur urdhër-arrest për Milan Radojiçiqin, por i cili më pas çuditërishte ishte tërhequr. Radojiçiq kishte arritur që disa herë të arratisej nga Policia e Kosovës.
Vrasja e Oliver Ivanoviq
Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, para objekteve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Ai ishte bartës i listës “Liri, Demokraci, Drejtësi – Oliver Ivanoviq” në zgjedhjet lokale të Kosovës, të cilat u mbajtën në nëntor të vitit 2017, disa muaj para vrasjes së tij.
Gjatë fushatës parazgjedhore për ato zgjedhje lokale, për shkak të frikësimit të serbëve në veri të Kosovës, katër kandidatë nga lista e tij u tërhoqën, ndërkaq vetë Ivanoviqit iu dogj vetura në Mitrovicë të Veriut.
Përveç në Kosovë, hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit janë duke u zhvilluar edhe nga Prokuroria Speciale e Serbisë, por atje hetimet nuk kanë shkuar më larg se sa faza e hetimeve paraprake.
Kah mesi i vitit 2019, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se “Beogradi mendon se e ka emrin e vrasësit të Oliver Ivanoviqit”.
Duke iu drejtuar opinionit, ai tha se Millan Radoiçiq, i cili është lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, “nuk ka lidhje me këtë krim”.
Aktakuza në Kosovë
Më pas, me 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, ku thuhet se të pandehurit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq, nga viti 2014 deri në vitin 2018, respektivisht me datën 16 janar 2018, në qytetin e Mitrovicës, në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, të cilët gjenden në arrati dhe me dy të pandehur tjerë që deri më tani janë të panjohur për organet e rendit, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar, me hiearki në grup dhe me role të përcaktuara kanë kryer këtë krim.
“Kjo nën udhëheqjen e të pandehurve Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, në atë mënyrë që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëveprim ndërmjet veti, me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq”, thuhet në aktakuzë.
Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë edhe gjatë këtyre muajve.