Për krerët e UÇK-së në Hagë: OVL proteston më 13 dhjetor në Shkup, Mickoski pret që VLEN ta kundërshtojë
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, njofton se protesta e radhës kundër padrejtësisë në Hagë, do të mbahet më 13 dhjetor 2025 në Shkup. Gazmend Syla nga OVL e UÇK-së, thotë se ende s’kanë marrë leje nga shteti i Maqedonisë së Veriut ndërkohë ka komentuar edhe kundërshtimin e Hristjan Mickosit për këtë protestë…
“Ju kemi bërë me dije për një protestë në Shkup. Është caktuar data më 13 dhjetor, në orën 13:00 në sheshin Skënderbe në Shkup”, tha Syla në një konferencë për media.
Ai tha se mbështetje kanë nga Ali Ahmeti dhe nga veteranët e luftës në Maqedoninë e Veriut.
“Fillimisht ju njoftojmë se ne së bashku me kategoritë e dala nga lufta në Maqedoninë e Veriut, jemi dakorduar për këtë protestë, kemi marrë mbështetjen e Ali Ahmetit.
Ne kemi zhvilluar të gjitha procedurat sikur në shtetet tjera, qoftë në Shqipëri, qoftë në Den Hag për mbarëvajtjen e protestës”, tha Syla.
Ai tha se ende s’kanë marrë leje për shfrytëzimin e hapësirës ku kanë kërkuar, por se ‘shpresojnë që kjo do të ndodh ditëve në vijim’.
“Deri më dje, ende nuk kemi marrë një përgjigje pozitive nga Shkupi zyrtar për shfrytëzimin e hapësirës publike, por shpresojmë se kjo do të ndodhë në vazhdim”, ka thënë Syla në një konferencë për media.
Kundërshtimet e Mickosit
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, dje ka kundërshtuar një protestë të paralajmëruar nga OVL e UÇK-së, duke e quajtur ‘lëvizje të gabuar të Ali Ahmetit’ dhe tha se ‘shpreson që VLEN nuk do ta mbështesë një protestë të tillë’.
“Me këtë protestë po mundohen të mobilizohen para Kongresit të partisë. Me këtë ata vetëm po e vërtetojnë se do ta kenë shumë të vështirë që në të ardhmen të gjejnë partner të koalicionit. Unë nuk e mbështes këtë ide dhe as nuk pajtohem me këtë marsh. Jam i bindur se as VLEN nuk do ta mbështes”, tha Mickoski.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, i konsideron këto deklarata të Mickoskit si ‘përçarëse’.
Gazmend Syla i OVL-së, tha në konferencë për media, se Maqedonia e Veriut si një shtet që aspiron së shpejti BE-në, duhet t’ua plotësojë këtë kërkesë që përkon me të drejtat e njeriut.
“Këto janë të ngjashme me deklaratat e Georgevskit në vitin 2001, që nuk tregojnë unitet por përçarje. Protestat ne i kemi bërë edhe në vende të tjera dhe ideja nuk është të ndikohet në procese të brendshme kudo që protestojmë.
Maqedonia e Veriut si shtet, po besojmë se aspiron Evropën prandaj do të duhej t’na garantonte një të drejtë sic është protesta” – tha Syla.