Pas Thaçit, ngritet në këmbë edhe Kadri Veseli: Dyshime se gjyqtarët në Hagë po ia mbajnë anën Prokurorisë
Vetëm ditën e djeshme, Hashim Thaçi dy herë u ngrit në këmbë gjatë seancës ku po dëshmonte Sylejman Selimi. Një gjë të tillë, i frustruar, Thaçi e kishte bërë edhe më herët.
Veprimin e njëjtë e bëri sot edhe Kadri Veseli. Që të dy, të pakënaqur skajshmërisht me mënyrën se si gjyqtarët po bëjnë pyetje gjatë procesit.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, bashkë me avokatët e tyre, kanë dyshime të forta se gjyqtarët po bëjnë pyetje të cilat favorizojnë Prokurorinë.
Situatë e ngjashme u paraqit edhe në seancën e sotme. Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ngriti shqetësimin se pyetjet e gjyqtarëve po cenojnë paanshmërinë e tyre.
“Kemi disa pikpyetje lidhur me pyetjet që u bënë në fund lidhur me zotin Shala. Këto shqetësime kemi shprehur në dokumentin e nëntorit e vitit të kaluar lidhur me masat që janë marrë për të garantuar paanashmërinë e procesit gjyqësor. Shqetësimi im ështëë se këto nuk janë pyetje sqaruese, janë pyetje që po përdorni si bazë nga ana e trupit gjykues”, tha avokati.
Ai më tutje kërkoi sqarime lidhur me ankesën që e kishin bërë zyrtarisht, ku kishin paraqitur vërejtjet e tyre për formën se si po bëhen këto pyetje.
“Këto nuk janë pyetje që duhet t’i bëj trupi gjykues dhe deshta të di a keni marrë ju ndonjë vendim lidhur me mocionin tonë që është ende pezull. Bëhet fjalë për mocionin e 30 nëntorit 2024”, ka thënë Dixon.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, nuk e zgjati. Pa dhënë asnjë sqarim lidhur me mocionin e mbrojtjes, ai tha se do të vazhdojnë të bëjnë çfarëdo pyetje.
“Vendimi ynë është se do vazhdojmë në formën sic e kemi bërë. Mund të bëjmë pyetje me cdo temë të mundshme”, tha ai më tutje.
Avokati sërish mori fjalën, duke insistuar se me këto pyetje po cenohet drejtësi e procesit gjyqësor.
“Po unë po them që në mocionin tonë të garantohen të drejtat e të akuzuarve dhe të garantohet paanshmëria dhe drejtësia e procesit gjyqësor. Po theksoj edhe një herë që sot pyetjet nuk janë të paanshme, janë pyetje që po përdoren si bazë nga gjykatësit në përfundimet e tyre”, deklaroi Dixon.
Kjo situate kishte ndodhur edhe më herët.
Gjatë një pyetjeje të gjyqtarit drejtuar dëshmitarit, Thaçi ngriti ngritur dorën në një moment, ndërsa më vonë u ngrit edhe në këmbë ku kërkoi të konsultohej me avokatët e tij.
Avokati i Thaçit theksoi se dëshmitarëve duhej t’u tregohej qartë dhe në mënyrë të plotë transkripti i komunikatave të caktuara.
“Nëse ne ia bëjmë ne këto pyetje dëshmitarit, t’i tregohet shprehimisht ajo që është thënë dhe t’i lexojmë komunikatën përkatëse. Tregojani të qartë, të plotë transkriptin.” – u përgjigj avokati i Thaçit pas një konsultimi me ish-presidentin.
Paneli i gjyqtarëve në Hagë është përballur shpesh me kritika nga mbrojtësit e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët kundërshtuan format e pyetjeve të drejtuara ndaj dëshmitarëve.
Në një letër të fundit drejtuar gjyqtarëve, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kërkuan që ata të sfidojnë Prokurorinë dhe të mos mbështesin një palë, por të kontribuojnë në zbardhjen e së vërtetës.
Avokatët e krerëve të UÇK-së theksuan gjithashtu se gjyqtarët shpesh herë kanë bërë pyetje për dëshmitarët më shumë sesa vetë mbrojtja, duke ngritur shqetësime mbi objektivitetin dhe drejtësinë e procesit.
Në një përgjigje për Nacionalen ditë më oparë, Dhomat e Specializuara të Hagës kanë thënë se kjo letër do të shqyrtohet nga gjyqtarët, por që nuk i takon kryetares së Gjykatës Speciale të ndërhyjë.
“Si çdo propozim tjetër i paraqitur nga të akuzuarit, edhe ky do të shqyrtohet nga Trupi Gjykues në përputhje me kornizën ligjore të KSK-së. Nuk i takon Presidentes të përfshihet në çështjet e pazgjidhura para kolegjeve dhe as ne nuk mund të komentojmë për çështjet që janë duke u shqyrtuar nga gjyqtarët”, thuhet në përgjigjen e Speciales për Nacionalen.