Nis puna: Mbi 8 mijë lëndë transferohen në Gjykatën Komerciale - NACIONALE

Nis puna: Mbi 8 mijë lëndë transferohen në Gjykatën Komerciale

1 vit më parë

nga Besian Beha

Njëra nga premtimet që pushteti aktual e ka realizuar është krijimi i Gjykatës Komerciale. Gjatë kësaj jave nisi edhe zyrtarisht puna e këtij institucioni të ri të drejtësisë, që do të merret me kontestet mes bizneseve e operatorëve ekonomikë. Gjyqtarët e kësaj gjykate, duket se i pret shumë punë. Në Gjykatën Komerciale, tashmë janë transferuar mbi 8 mijë lëndë. Gazeta Nacionale sjell detaje.

Të gjitha lëndët komperciale që kanë qenë duke u trajtuar në gjykatat e tjera, janë transferuar në Gjykatën me të njëjtin emër. Më saktësisht, nga statistikat që ka siguruar gazeta Nacionale, qysh në start të nisjes së punës, në Gjykatën Komerciale janë transferuar mbi 8 mijë lëndë. Mbi 6 mijë e 700 në shkallën e parë, kurse në shkallën e dytë mbi 1 mijë e 300 të tjera.

Mahir Tutuli, kryetar i Gjykatës Komerciale të Kosovës që është themeluar pak muaj më parë, ka bërë të ditur se po punojnë për trajtimin e këtyre lëndëve, në mënyrë që të përmbushen pritshmëritë.

“Planet janë që të plotësohen të gjitha pozitat e parapara me organogramin e Gjykatës Komerciale ashtu që gjykata të mund të funksionoj në kushte optimale dhe t’i përmbush pritshmëritë për gjykimin e rasteve në një kohë të arsyeshme”, ka thënë Tutuli për gazetën Nacionale.

Në kërkim të objektit

Në fakt, shqetësimi i vetëm aktualisht mbetet ndërtimi i një objekti të ri për gjyqtarët dhe stafin mbështetës të Komerciales. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nëpërmjet një përgjigje për Nacionalen, tregon se cili është plani rreth objektit. Përderisa, bëjnë të ditur se çështja e objektit, është në planifikimin buxhetor të vitit 2023.

“Kërkesa afatgjate e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), për objektin e Gjykatës Komerciale është ndërtimi i një objekti të ri në hapësirat e lokacionit të Pallatit të Drejtësisë për Arkivin e gjyqësorit të Kosovës dhe vendosjen e Gjykatës Supreme, ndërsa, objekti E i Pallatit të Drejtësisë ku aktualisht është Gjykata Supreme t’i mbetet për shfrytëzim të përhershëm Gjykatës Komerciale. KGjK, ka bërë kërkesë në komunën e Prishtinës për dhënien e pëlqimit për ndërtimin e objektit të ri në lokacionin aktual të Pallatit të Drejtësisë dhe jemi në pritje të marrjes së këtij pëlqimi”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së për Nacionalen.

Edhe Ministria e Drejtësisë në një përgjigje për Nacionalen, është shprehur se çështja e objektit për Gjykatën Komerciale është duke u trajtuar me prioritet.

“Sa i përket objektit të Gjykates, tashme jemi në konsultime të vazhdueshme edhe me akterë të tjerë institucionalë dhe partnerë ndërkombëtarë për ta gjetur një hapësire të përshtatshme, funksionale dhe të mjaftueshme për Gjykaten Komerciale. Tash për tash është gjetur një zgjidhje e përkohshme për stafin e Gjykatës Komerciale dhe vendosja e tyre është bërë në katin e 4-të të Pallatit të Drejtësisë në Hajvali, deri në vitin e ardhshëm”

“Jemi duke punuar aktivisht se bashku me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme për një zgjidhje optimale e cila siguron një ambient të duhur të punës për Gjykatën Komerciale dhe këtë do ta bëjmë deri në vitin e ardhshëm. Meqënëse tash jemi vetëm në fazen e vështrimeve të përgjithshme të objekteve të lira, ende nuk kemi arritur të përzgjedhim një lokacion konkret sa i përket kësaj çështjeje”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

Gjyqtarët, stafi dhe përkrahja

Këshilli Gjyqësor i Kosovës më tutje ka bërë të ditur, se në Komerciale janë shtatë gjyqtarë në shkallën e parë, kurse katër të tjerë në shkallën e dytë. Për gjyqtarë të rinjë, KGJK-ja theksuar se tashmë është shpallur konkursi.

Pra, duket se për Gjykatën Komerciale, ka nevojë për staf dhe gjyqtarë shtesë, sidomos duke marrë parasysh numrin e madh të lëndëve.

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se i ka ndarë mbi 880 mijë euro për funksionalizimin e Komerciales. Megjithatë, mundësia për përkrahje shtesë, mbetet e hapur.

“Këtë përgatitje për themelim dhe funksionalizim të kësaj Gjykate e kemi bërë brenda vitit të parë të qeverisjes, duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë absolute të saj. Efikasiteti i Gjykatës Komerciale do të ndikojë tejet pozitivisht në zgjidhjen e shpejtë të lëndëve, që më herët kanë marrë kohë mesatarisht deri në 5 vite për t'u zgjidhur. Ne do të përcjellim me vemendje në vazhdimësi specifikat dhe rrjedhën e punës së Gjykatës, dhe në përputhje me nevojat dhe shpejtësinë e procedimit të lëndëve, do të ndërmarrim veprime brenda konturave financiare bashkë me Ministrinë e Financave dhe gjithsesi në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Çka është Gjykata Komerciale?

Sipas deklaratave të krerëve të institucioneve qeveritare në vend, Ligji për Gjykatën Komerciale do të krijojë mundësi të mjaftueshme për rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e kontesteve tregtare, me qëllim që të drejtat e bizneseve të fituara nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare dhe administrative, të realizohen pa vonesa, duke lehtësuar kësisoj shfrytëzimin e kapitalit.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka sqaruar se sa do të ndikojë në lehtësimin e kontesteve biznesore kjo gjykatë.

“Gjykata Komerciale është e rëndësisë së veçantë për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja, sepse bizneset do të kenë një adresë të vetme për të gjitha çështjet për të cilat kërkojnë mbrojtje gjyqësore. Në sistemin aktual shpesh bizneset për të realizuar të drejtën e tyre është dashur që t’i drejtohen dy apo tri gjykatave për vendosjen e çështjes së tyre. Ndërsa, në Gjykatën Komerciale të gjitha çështjet do të vendosen në të njëjtën procedurë dhe kjo e shkurton jashtëzakonisht shumë procedurën deri në marrjen e vendimit final dhe ekzekutimit të tij. Kjo krijon siguri juridike në qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve dhe mundëson zhvillimin ekonomik”, thuhet në përgjigje.

Kurse, sipas Ministrisë së Drejtësisë, me Gjykatën Komerciale lehtësohen procedurat, pasi vetëm në tri vjet janë hapur mbi 2 mijë e 200 konteste mes bizneseve.

“Themelimi i Gjykatës Komerciale siguron përmirësim rrënjësor të gjendjes momentale, e cila do të lehtësohet përmes aktgjykimeve meritore për zgjidhje përfundimtare të rasteve nga gjyqtarët, numri i të cilëve do të rritet konsiderueshëm, nga vetëm 5 sa kanë qenë deri tash”, thuhet në përgjigjen e MD-së për Nacionalen.

Nisjen e punës së kësaj gjykate, e kishte përshëndetur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ministrja e Drejtësisë.

Lajme të ngjashme