‘Nga Haga të them, mirupafshim në parajsë’: I jepet lamtumira e fundit Haxhi Thaçit - NACIONALE

‘Nga Haga të them, mirupafshim në parajsë’: I jepet lamtumira e fundit Haxhi Thaçit

1 vit më parë

nga NACIONALE

I është dhënë lamtumira e fundit Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili vdiq të dielen në moshën 86-vjeçare.

Në varrim, u panë një numër i madh i qytetarëve që u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën Thaçit, derisa paraprakisht pati edhe një mbledhje komemorative.

Në anën tjetër, Gjykata Speciale nuk ia ka mundësuar ish-presidentit Thaçi pjesëmarrjen në varrimin e babait, duke mos dhënë informacione se pse ka ndodhur një gjë e tillë.

“Për momentin, gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me z. Thaçi. Kjo për shkak se kërkesat e një të paraburgosuri dhe vendimet për ato kërkesa fillimisht janë gjithmonë konfidenciale për arsye që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale. Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjykatësit zakonisht i riklasifikojnë këto dokumente në mënyrë që publiku të mund të informohet më detajisht. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjykatësit, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë ca kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë” thuhet në një komunikatë për media.

Por në varrim u pa një mesazh i dërguar nga Thaçi ndaj babait të tij ku shkruhej:

“Në spital të thashë lamtumirë, babë! Nga Haga të them, mirupafshim në parajsë!”.

Edhe në mbledhjen komemorative të mbajtur në Skenderaj kanë marrë pjesë një numër i madh i qytetarëve, që kanë bërë homazhe pranë arkivolit të Haxhi Thaçit.

Gjatë mbledhjes, mbajtën fjalime liderët e Partisë Demokratike të Kosovës, përfaqësues nga Shqipëria, dhe në fund, edhe djali i ish-presidentit Thaçi, Endrit Thaçi.

“Faleminderit nga zemra për ngushëllimet për fjalët prekëse. Në emër të familjes Thaçi, në emër të babit iu falënderoj për mbështetjen. U jemi mirënjohës të gjithëve. Gjyshi asnjëherë nuk është dorëzuar përballë sëmundjeve. Shpresa për ta takuar babin ishte më e madhe se dhimbjet e sëmundjeve. Besimi ishte më i madh se aktakuza e padrejtë. Në muajt e fundit çdo orë priste t’ia hapte derën e spitalit, nuk u dorëzua dhe u rikthye në jetë disa ditë. Tri orë atë ditë, iu bënë një jetë. Që të dy e kërkonin lirinë, çlirimin. Vdekjen e shpejtë të gjyshit e pashë në fytyrën e babait kur doli nga spitali. Ai iu mbijetoi të gjitha vuajtjeve, por këto 4 vite nuk i mbijetoi dhimbjes nga padrejtësia. Sëmundje e pashërueshme për njerëz të fortë. Me vdekë pa u koritë, siç thoshte ai. Gjysh, as sot nuk jemi korit. Babin nuk e lejuan të jap lamtumirën e fundit, nuk e lejuan t’ia gjuajë një gusht të dheut të Drenicës, por në vend të babit sot ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina” - tha Endrit Thaçi, transmeton Nacionale.

Lajme të ngjashme