Musliu-Shoshi: Ka ardhur koha që deputetët të veprojnë në raport me Specialen, të marrim masa konkrete
Kandidatja për deputete e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e ka dënuar veprimin e Gjykatës Speciale për moslejimin e ish-presidentit Hashim Thaçi të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.
Ajo ka bërë me dije se ka ardhur koha që Kuvendi i Kosovës të reagon ndaj kësaj gjykate dhe t`i mbrojë çlirimtarët.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se kjo situatë duhet të shërbej si alarm për deputet e rinj.
“Ka ardhur koha që si deputet të veprojmë me vendosmëri për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e ÇLIRIMTARËVE tanë. Vendimi i Gjykatës Speciale për të mos lejuar Presidentin Thaçi të marrë pjesë në varrimin e babait të tij është i padrejtë, i paligjshëm dhe jokushtetues. Kjo situatë duhet të shërbejë si një ALARM i fundit për ne, si deputetë, që të mos qëndrojmë pasivë, por të marrim masa konkrete. Është e papranueshme të lejojmë abuzimin e pushtetit nga një gjykatë që e kemi krijuar vetë”, ka shkruar Musliu-Shoshi.