"Mu duk që u ngrita nga toka, të shtënat nuk ndaleshin": Polici Sedat Dushi dëshmon për sulmin në Banjskë
Polici Sedat Dushi, ka dëshmuar për sulmin terrorist në Banjskë.
Ai e ka përshkruar në detaje komplet ngjarjen.
“Jemi nisur me dy automjete. Rrugës për në fshatin Banjskë, para se të arrinim te vendi i ngjarjes, kemi ndaluar një veturë të dyshimtë që po lëvizte ngadalë. E kemi kontrolluar, personi nuk kërkohej, por kemi gjetur një antenë të radiolidhjes Motorola”, tha ai.
“Edhe pa u pozicionuar mirë ka shpërthyer një detonim i fuqishëm. Nga ai detonim më duket se jam ngritur nga toka. Më pas kanë filluar të shtënat e pandërprera, me armë të kalibrave të ndryshëm. Kishim të bëjmë me një sulm të përgatitur mirë, nga shumë pozicione”, tha ai.
“Kam vërejtur shkëndija zjarri nga persona që shtinin në ne, me armë në dorë, me uniformë që ngjanin me uniformë ushtarake. Nuk mund të them ngjyrën pasi ishte natë. Disa me kapela dhe me maska. Nuk di t’i identifikoj: 20, 25 apo 30 veta. Nga ana tjetër e lumit na shtinin pa ndërprerje”, tha Dushi.
Në kushte të vështira, me ndihmën e kolegëve, kishin arritur ta tërheqin trupin e rreshterit Bunjaku dhe ta nisnin për në emergjencë.
“Me vështirësi kolegët kanë arritur të vendosin trupin e Afrimit në automjet. Edhe kolegu Albani u ka ndihmuar. Është nisur automjeti në drejtim të Mitrovicës, është goditur automjeti, është dëgjuar goma që është goditur, por ata kanë vazhduar drejt emergjencës”, tha ai.
Pas sulmit, Dushi tha se ka përjetuar trauma të rënda fizike dhe psikologjike.
“Kam kërkuar shërbime mjekësore, kam pasur terapi psikologjike dhe psikiatrike. Pas ekzaminimeve të bëra nga mjekët dhe raportet e tyre, unë kam humbur dëgjimin rreth 30 për qind. Shpesh herë vajza thoshte se babi nuk po dëgjon. Nuk i kam treguar me detaje fëmijëve”, tha ai.
Për fund, ai theksoi se si zyrtarë policorë kanë qenë të kujdesshëm edhe gjatë shkëmbimit të zjarrit, për të shmangur ndonjë dëmtim të mundshëm të banorëve të fshatit.
“Ka qenë vështirë të marrim në shenjë personat sulmues, duke u frikësuar që mos po dëmtojmë ndonjë qytetar, banorët e fshatit që në atë kohë mund të kenë dalë në dritare për të parë çka po ndodh. Kjo është dëshmia më e mirë që asnjë nga banorët nuk ka pësuar as dëm fizik, as në pronë”, u shpreh Dushi. /EO