Ministria e Drejtësisë e humb edhe një betejë me vëllanë e tre dëshmorëve: Rrëzohet dënimi për një status në facebook
Elbasan Dervishaj, drejtor i Divizionit për Profesione të Lira në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, e ka fituar edhe një betejë me MD-në. Kësaj radhe kjo ndërlidhet me vendimin që Dervishaj të dënohet me heqje 20% të pagës për dy muaj, pas një postimi që Dervishaj e kishte bërë në facebook.
Dervishaj që është vëlla i tre dëshmorëve, nëpërmjet një postimi në facebook kishte lajmëruar për një vendim të Këshillit Civil lidhur një ankesë të tij. Aty, Dervishaj e kishte kritikuar pushtetin e VV-së se për inate politike, po i hakmerren. Ndaj Dervishajt ishte bërë një auditim i veçantë vetëm për të, dhe më pas ishin konstatuar shkelje ligjore.

Pas postimit të Dervishajt ku e kishte shpërndarë edhe një raportim të Nacionales, ndaj tij ishte hapur procedurë disiplinore dhe ishte dënuar me heqje të 20% të pagës për dy muaj. Ngjashëm edhe për shokun e Dervishajt e zyrtarin tjerë të MD-së, Labinot Gashi.
Megjithatë, edhe kjo betejë është fituar nga Elbasan Dervishaj. Këshilli Civil i ka aprovuar ankesën e tij, dhe ka konstatuar se ka pasur shkelje. Vendimi është i datës 18 prill, dhe Nacionale ka mësuar se vendimi është zbatuar nga Ministria e Drejtësisë. Nacionale e ka siguruar edhe vendimin dhe sjell detaje.
Dervishaj ka tre vëllezër dëshmorë të cilët ranë në luftën e fundit: Mentor, Menderes e Menhend Dervishaj, nga fshati Zabllaq i komunës së Istogut.
Çfarë thotë vendimi?
Fillimisht, Këshilli Civil e kishte kthyer në rivendosje vendimin e Ministrisë së Drejtësisë. Më pas, kjo e fundit sërish e dënoi Dervishajn me heqje të 20% të pagës për një muaj. Megjithatë, edhe ky vendim është rrëzuar sërish.
Këshilli ka konstatuar se Komisioni i Ministrisë së Drejtësisë nuk i ka ftuar fare dy zyrtarët në seancë, duke shkelur kështu ligjin. Këshilli Civil ka gjetur edhe shkelje të tjera. Kjo përfshirë shtimin e deklaratave nga zyrtarët e MD-së në dëm të Dervishajt që nuk ndërlidheshin fare me procedurën e hapur.
“Komisioni Disiplinor me rastin e rishqyrtimit të ankuesit së ankuesit kanë përfshirë edhe elemente të veprimeve të ankuesit të datës 27.08.2022 lidhur me apostrofimin e Ministrisë dhe menagjmentit të Ministrisë së Drejtësisë si dhe veprimet e datës 12.09.2022 lidhur me prononcimin publik të ankuesit në televizion, mirëpo në kërkesën e datës 24.08.2022 të Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë për inicimin e procedurës disiplinore ndaj ankuesit sikurse as në e-mailin e datë 22.08.2022 që është dërguar nga Genc Nimani -Shefi i kabinetit të Ministres për Zëvendësuesin e Sekretarit e Përgjithshëm, këto veprime apo elemente rënduese nuk ishin përfshirë, prandaj në kuptim të nenit 93 të Ligjit Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative ku përcaktohet se: "Pala mund të ndryshojë kërkesën e paraqitur, nëse qëllimi i kërkesës së ndryshuar bazohet në të njëjtën situatë faktike me kërkesën fillestare, apo edhe ta tërheqë plotësisht atë, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga organi publik”, thuhet në këtë vendim.

Komisioni i MD-së kishte vlerësuar se Dervishaj, vëlla i tre dëshmorëve të vrarë në luftën e fundit, ka bërë shkelje të rëndë dhe të përsëritur. Megjithatë, Këshilli Civil e ka rrëzuar një pretendim të tillë.
“Kolegji i Këshillit nga shkresat e administruara të lëndës të dërguara nga Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore nuk ka arritur të konstatoi faktin nëse ankuesi në të kaluarën ka kryer shkelje disiplinore dhe për të njëjtat shkelje ka ndonjë masë aktive në fuqi, të shqiptuar qoftë nga Udhëheqësi i tij i Drejtpërdrejtë apo Komisioni Disiplinor, respektivisht nëse për një çështje të tillë nuk ka vendim përfundimtar të konfirmuar se ankuesi ka kryer edhe në të kaluarën shkelje disiplinore, andaj në vlerësimin e Kolegjit të Këshillit, Komisioni Disiplinor nuk mundet t'iu referohet këtyre dispozitave ligjore në rastin konkret, ngase të njëjtat norma përcaktojnë vetëm rastet e përsëritura dhe të konfirmuara përmes vendimeve përfundimtare në procedurë administrative të cilat e kanë marrë formën e ekzekutueshmërisë në kuptim të nenit 144 të Ligjit Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, nga rrjedh se Komisioni Disiplinor ka zbatuar gabimisht dispozitat e ligjit material në rastin konkret”, thuhet në vendim.
Si rezultat, Këshilli Civil ka rrëzuar vendimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Më poshtë mund të lexoni raportimet e Nacionales për këtë rast:
