Mark Shala, dëshmitar i mbrojtjes në gjykimin ndaj Pjetër Shalës në Hagë
Mark Shala është dëshmitari i radhës në gjykimin ndaj Pjetër Shalës në Hagë.
Ai tha se ka qenë pjesëtar i ushtrisë së ish-Jugosllavisë deri në vitin 1991.
“Deri në vitin 1991 kam qenë si pjesëtar i ushtrisë së Jugosllavisë, por në ato kohë kanë filluar luftimet këto… Kroacia ka qenë e sulmuar nga ushtria jugosllave dhe serbe dhe atëherë unë e kam braktisë armatën jugosllave dhe kam kalu në armatën e Jugosllavisë”.
Pastaj dëshmitari tregoi se si iu kishte bashkuar ushtrisë kroate.
“Fillimisht pasi e kam braktisë armatën jugosllave diku kah fundi i muajit të tetë 1991, për një kohë kam shkuar për ta larguar familjen time që një kohë ka qenë në Kosovë që ka qenë bashkëshortja ime dhe vajzat se kanë qenë të rrezikuar aty. Unë nuk e kam lëshuar armatën jugosllave me vetëdëshirë sepse unë kam qenë i kërkuar. E kam marrë familjën dhe përmes Shkupit i kam dërgu deri në Zvicër. Kur e kam dërgu familjen në Zvicër… kam ra në kontakt me disa epror dhe jam marrë vesh që të kthehem në vijën e Kroacisë dhe pas tre muajve iu kam bashkëngjitë ushtrisë së Kroacisë diku afër vitit 1992”, tha dëshmitari Shala.
Ai tha se në ushtrinë kroate ka shërbyer nga viti 1992 deri në vitin 1999.
“Ushtrinë e Kroacisë e kam ndërpre në atë moment kur me është kërku apo kur janë bërë kushtet që ta lëshoj atë armatë dhe t’i bashkëngjitëm Ushtrisë Çlirimtare. Jam liru nga armata e Kroacisë me gradën nënkolonel”, tha ai.
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari Shala tha se iu është bashkuar në muajin mars të vitit 1999.
“Kjo ka qenë diku kah fundi i muajit mars-muajit të tretë 1999. Data saktësisht mundet me qenë 26 diçka qashtu. Nga Kroacia kam udhëtuar për në Slloveni, në Lubjana. Në Lubjane jam takuar me disa kolegë të mijë që kishin vendosur që t’i bashkohen UÇK-së dhe nga Lubjana kemi udhëtuar për Tiranë në Shqipëri”, tha ai.