Ligji 'si llastiku’ po i detyron gratë të kthehen te burrat dhunues - NACIONALE

Ligji 'si llastiku’ po i detyron gratë të kthehen te burrat dhunues

4 vjet më parë

nga Besian Beha

Larg valleve e ahengjeve që organizohen me rastin e Ditës së Gruas. Larg edhe trëndafilave e dhuratave që marrin gratë në këtë ditë të shënuar. Pabarazia e sfidat me të cilat përballen ato, janë të përditshme. Si pasojë, shpesh kanë përfunduar me dhunë në familje, madje edhe me fatalitet. Gazeta Nacionale sjell një rrëfim që dëshmon dështimin e zbatimit në praktikë të ligjit, mbingarkimin e strehimoreve dhe statistika për dhunën ndaj grave, si kambanë për shoqërinë dhe institucionet kosovare.

Ligji ekziston. Edhe masat për mbrojtje nga dhuna në familje gjithashtu. Por, përfundimi gjithmonë është i njëjtë. Si pasojë e një sistemi të drejtësisë me shumë probleme, adresimi i dhunës ndaj grave mbetet tejet sfidues. Çdo vit numri i grave që raportojnë dhunën është i madh. Pavarësisht kësaj, një paraburgim prej 30-ditësh për burrat që ushtrojnë dhunë, mbetet një nga masat e vetme që sistemi adreson për të përçuar drejtësi.

Në Kosovë ekziston Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje. Aty parashihet urdhri mbrojtës, por edhe ndalesa për t’iu afruar një banese apo hapësire të caktuar jetese. Madje, ai që ushtron dhunë, duhet ta lirojë menjëherë pronën në prani të policisë, deri në një masë tjetër gjyqësore. Por, zbatimi i këtyre neneve mirë të shkruara në letër është i rrallë, për të mos thënë nuk zbatohen kurrë. Për pasojë, një nga opsionet e vetme për gratë, mbetet kthimi në banesë te burri dhunues.

Strehimoret e mbingarkuara

Nga të dhënat që ka siguruar Gazeta Nacionale, në Kosovë ekzistojnë 10 qendra strehimore për gratë që janë viktima të dhunës në familje. Në shumë prej tyre, numri i grave që strehohen, është më i madh se sa kapacitetet që kanë këto qendra strehimi. Kthimi në banesën e përbashkët që kishin me bashkëshortin, vlerësohet një realitet i pamundur. E para - për shkak të stërzgjatjes së procedurave në gjykata, dhe e dyta - për shkak të rregullimit familjar në Kosovë.

“Shtëpia e sigurt” në Gjakovë, është një nga qendrat që ofron strehim për viktimat e dhunës në familje. 10 gra dhe 12 fëmijë janë duke qëndruar aktualisht në këtë qendër, pavarësisht se kapacitetin e ka për më së shumti 20 persona.

“Raste përsëritëse ka shumë. Herën e parë një grua e paraqet rastin në Polici, vjen në strehimore, është e humbur dhe nuk mund të vendosë asgjë për jetën e vet. Duke mos pasur zgjidhje tjetër, ato mendojnë se për hir të fëmijëve më e mira është t’i kthehen burrit”, - tregon për Gazetën Nacionale Erblina Dinarama, drejtoreshë e strehimores në Gjakovë.

Qëndrimi në këtë strehimore nuk ka afat. Mund të jetë 6-mujor, e deri në 3-vjeçar. Por, synimi është që viktimave të dhunës t’u bëhet një zgjidhje më e sigurt.

“Qeranë ua kemi paguar një pjese të këtyre grave për 10 vjet, pasi kemi pasur projekt me Caritas-in. Ai ka përfundu si donacion, tani bashkë me komunën bëjmë kërkesa për strehim. Ka raste kur deri në 12 muaj komuna mbulon qeranë, por edhe kur jep banesa sociale për qëndrim më afatgjatë”, - përfundon Dinarama.

Vetëm gjatë vitit 2021, në Qendrën Strehimore në Prishtinë, kanë kërkuar strehim 132 gra. Në disa raste, ka ndodhur që e njëjta grua, të kërkojë strehim dy apo tri herë brenda muajit. E kapacitetet e kësaj qendre, janë dukshëm më të vogla.

“Dhoma e ndejës shpesh modifikohet, në raste emergjente. Edhe gjatë kohës që burri është në paraburgim, gruaja nuk mundet me u kthy në shtëpinë e vet, pasi ne jetojmë në një bashkësi familjare, dhe ato nuk e ndiejnë veten të sigurt. Ka raste të rralla që familjet biologjike i përkrahin gratë, dhe me fëmijë ato e ndiejnë veten që nuk kanë kah me ia mbajtë”, - rrëfen Zana Hamiti-Asllani, udhëheqës e strehimores në Prishtinë.

Pak mbështetje për strehimoret – Ligji drejt ndryshimit

Pak më shumë se gjysmë milioni euro është buxheti që kishte ndarë Ministria e Financave si përkrahje për strehimoret në vitin 2021. Një shumë dukshëm më e madhe se ajo që ndahej në vitin 2015, që nuk kalonte shifrën e 250 mijë eurove. Megjithatë, zgjerimi i kapaciteteve të strehimoreve aktuale ose ndërtimi i të rejave, po del se nuk është kompetencë e kësaj ministrie.

“Për vitin 2022, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka shpalluar thirrjen publike për mbështetje financiare. Procesi është në përfundim e sipër mbi mbështetjen financiare publike, për organizatat e licencuara në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare”, - thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Në janarin e vitit 2022, në qeverinë e Kosovës ishte miratuar edhe Strategjia për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.

“Projektligji për mbrojtje nga dhuna në familje është në proces të plotësim/ndryshimit. Harmonizimi i ligjit në fuqi me standardet ndërkombetare, e Konventën e Stambollit është domosdoshmëri”, - thonë nga Ministria e Drejtësisë për Gazetën Nacionale.

Shifra alarmante

Vetëm gjatë vitit 2021, rreth 2 mijë e 500 raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës. Një rritje e madhe, krahasuar me të njëjtën kohë në vitin 2015, kur raste të raportuara në polici ishin 1 mijë e 38. Në shumicën prej tyre, viktimë janë gratë.

Që nga viti 2010 deri në shkurt të këtij viti, janë raportuar 48 raste të vrasjeve. Vitet më të kobshme sipas këtyre të dhënave, janë 2018 dhe 2020, me nga shtatë raste të vrasjeve.

Lajme të ngjashme