Lajmi për dënimin e Salih Mustafës raportohet në ShBA, Kanada e Tajlandë - NACIONALE

Lajmi për dënimin e Salih Mustafës raportohet në ShBA, Kanada e Tajlandë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lajmi për dënimin e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, me 26 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara është raportuar nga shumë medie në pjesë të ndryshme të botës, nga Shtetet e Bashkuara e Kanadaja në perëndim, deri në Tajlandë në lindje.

Agjencia amerikane e lajmeve, “Associated Press”, raportoi: “Një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u shpall fajtor të premten për ndalim arbitrar e torturim të të burgosurve që shiheshin si përkrahës të Serbisë e vrasje të njërit prej tyre gjatë një lufte në fundin e viteve të nëntëdhjeta për pavarësinë e Kosovës”.

“Gjykimi i së premtes vjen në kohën e marrëdhënieve të tensionuara mes Serbisë e Kosovës, që është ish-provincë e saj. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, të enjten kërkoi që forcave serbe të sigurisë t’u lejohet kthimi në Kosovë, e cila e shpalli pavarësinë më 2008. Perëndimi ka paralajmëruar se kjo kërkesë nuk pritet të pranohet dhe vetëm do t’i nxisë tensionet në atë pjesë të Ballkanit”, thuhet në lajmin e agjencisë së njohur amerikane të lajmeve.

Titulli i lajmit të saj për dënimin e Sali Mustafës: "Ish-komandanti rebel i Kosovës dëhohet për vrasjen e vitit 1999"

Lajmi i AP-së u raportua edhe nga televizioni kanadez, CP24, që lajmin e mori nga kjo agjenci. “Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjithashtu është ndaluar nga gjykata dhe është duke e pritur gjykimin me të dyshuar të tjerë me akuza që përfshijnë vrasje, torturim e përndjekje. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat”- thuhet në lajm.

Për dënimin e Mustafës raportoi edhe agjencia franceze e lajmeve, AFP. “Gjykata vepron sispas ligjeve të Kosovës, por e ka selinë në Holandë dhe financohet nga BE-ja për t’i mbrojtur dëshmitarët nga frikësimi, duke marrë parasysh se ish-komandantët e UÇK-së ende e mbizotërojnë jetën politike në Kosovë”, thuhet në raportimin e AFP-së.

Lajmin e AFP-së e publikoi edhe gazeta tajlandeze në gjuhën angleze, “Bangkok Post”. “Të burgosurit ishin rrahur me shkopinj bejsbolli, shufra hekuri, ishin sulmuar me rrymë, ishin djegur dhe u ishin mohuar ushqimi e uji në kompleksin në Zllash, fshat në lindje të kryeqytetit Prishtinë”, thuhet në tekstin e publikuar nga gazeta tajlandeze.

Lajme të ngjashme