Kërkohet paraburgim për 23 nga 109 të arrestuarit për manipulim votash
Pas aksionit të gjerë që rezultoi me arrestimin e 109 personave të dyshuar për manipulim të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Gjykata Themelore në Prizren ka filluar zyrtarisht shqyrtimin e masave të sigurisë. Deri në këto momente, organi gjyqësor ka konfirmuar pranimin e kërkesave për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 23 të dyshuarve.
Betimi për Drejtësi ka raportuar se zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, ka sqaruar se këto kërkesa janë parashtruar nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe kanë të bëjnë me vepra të rënda penale, të cilat vlerësohet se kanë cenuar drejtpërdrejt integritetin e procesit zgjedhor.
“Sipas kërkesave të pranuara deri tani, për 21 të dyshuar në cilësinë e komisionerëve kërkohet paraburgim për veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit”, citohet të ketë deklaruar Lekaj.
Në lidhje me dosjet e pranuara, Lekaj ka bërë të ditur se grupi më i madh i të akuzuarve përbëhet nga 21 persona që shërbyen në cilësinë e komisionerëve.
Ndaj tyre, Prokuroria kërkon masën e paraburgimit nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale të falsifikimit të rezultateve të votimit. Situata rëndohet më tej për një të dyshuar tjetër, po ashtu komisionere, ndaj të cilës rëndojnë dy akuza specifike: falsifikim i rezultateve të votimit si dhe marrje ryshfeti.
“Gjykata aktualisht është në pritje të pranimit të kërkesave të tjera nga Prokuroria Themelore në Prizren”, ka shtuar ai.
Lidhur me procedimin e këtyre rasteve, zëdhënësi Lekaj njoftoi se gjatë ditës së sotme tashmë janë përmbyllur dy seanca dëgjimore, ndërsa janë planifikuar të mbahen edhe dy seanca të tjera po brenda ditës.
Më shumë se 100 persona u ndaluan dje, si të dyshuar për dallavere me vota. Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, deklaroi se keqpërdorimi shkon deri në 60 mijë vota.
“Ditë më parë kemi paralajmëruar sse manipulimi i votës është krim dhe do të ndëshkohet. Secili prej atyre që ka guxuar të fusë duart në votat dhe vullnetin e qytetarëve është ballafaquar me forcën e ligjit. Dua ta bëj të qartë se këtu nuk bëhet fjalë për numërimin e votive te subjekteve politike më 28 dhjetor, por bëhet fjalë për manipulime Brenda llojit, aty ku katër subjektet e mëdha politike, kanë dërguar të preferuarit e tyre dhe ata kanë menduar se larg syve të policisë dhe prokurorisë mund të manipulojnë dhe mund t’ia dalin pa të keqe. Mund të kuptoheshin gabimet e vogla të dhjetëra votave edhe pse KQZ nuk ka ndonjë marzhë tolerance. Këtu nuk bëhet fjalë as për dhjetëra as për qindar, por për mijëra vota të manipuluara dhe falsifikuara”, tha Kryeziu.