Kush janë dëshmitarët që e konfirmuan publikisht se do të dëshmojnë në Gjykatën Speciale?
Proceset në Dhomat e Specializuara të Kosovës janë intensifikuar dukshëm. Në rastin kryesor të krerëve të UÇK-së tashmë kanë dhënë dëshminë e tyre 11 dëshmitarë.
Deri më tash, të gjithë dëshmitarët kanë folur me masa strikte mbrojtëse duke mos u zbuluar asnjë detaj rreth identitetit. Madje në shumicën e rasteve, pjesa më e madhe e seancave kanë qenë të mbyllura.
Megjithatë, përderisa deri më tash procesi ka qenë i mbyllur, në Kosovë janë disa persona që e kanë konfirmuar publikisht se do të jenë dëshmitarë. Deri më tash, janë 3 që nëpër studio televizive apo komunikime të ndryshme, kanë bërë të ditur se do të dëshmojnë në Hagë.
Në mesin e personave që gjatë gjithë kohës ka folur rreth Gjykatës Speciale ka qenë edhe Gani Geci. Ai në vitin 2020 ishte marrë për më shumë se 20 orë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Nuk dihet nëse Geci do të jetë pjesë e dëshmitarëve të Prokurorisë që do të ftohen në sallë që të japin dëshmi, megjithatë ai nuk ka hezituar të flasë publikisht.
“Nga dëshmia ime duhet të frikësohen ata që kanë shkruar Komunikatën nr.59 dhe ata që kanë dhënë urdhër të vriten Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku. Të tjerët nuk kanë nevojë të frikësohen”, kishte thënë Geci.
“Nuk ka rëndësi pasi fare lehtë mund të dëshmosh si dëshmitarë e të përfundosh si i akuzuar dhe e kundërta. “Të gjithë atyre që lirohen apo gjykata nuk do të merret me ta [në lidhje me Komunikatën nr.59] do t’ua shtrijë dorën”, kishte thënë Geci pasi kishte përfunduar intervistimin.
Geci kishte folur edhe pas kthimit nga Haga.
“Gjykata Speciale nuk është votuar në Beograd. Ajo u votua në Kuvendin e Kosovës me 84 vota”.
“Unë nuk kam dërguar askënd në burg. Ata që kanë vrarë shqiptarë dhe ata që kanë shkruar komunikata për të vrarë shqiptarë që kemi shumë të vrarë nga Lidhja Demokratike dua ti shohë të gjykohen”, kishte thënë ai.
Në fjalët hyrëse në Gjykatën Speciale, ishte përmendur edhe komunikata 59 e UÇK-së ku flitej për vrasjen e Gecit. Pas këtij detaji në seancë, kishte reaguar familja Geci.
“Ne familja jonë e kemi theksuar që 24 vite që do rrotullojmë çdo guri, do trokasim çdo dere për t’I demaskuar fundërrinat pa histori që donin te krijonin histori të rrejshme mbi kurrizin e atyre që historia I njeh me shekuj si familje atdhetaresh e patriotike në të gjitha kohërat të cilat kalonte populli ynë në luftëra kundër okupatoreve sllavo-rus dhe perendorisë osmane”, ka thënë Fadil Geci në një postim.
Se është dëshmitar në Gjykatën Specale në rastin e krerëve të UÇK-së e kishte konfirmuar edhe Haki Imeri. Vëllai i ish-zyrtarit të LDK-së që u vra, Imer Imeri.
“Unë në Gjykatën Speciale jam dëshmitar i hapur, para 10 ditëve kanë qenë 3 avokatë për viktima, kam qëndruar 3 orë me ta”, kishte thënë Imeri në RTV Dukagjini.
“Unë jam dëshmitar i Gjykatës Speciale, i hapur, çka i kam thënë Prokurorisë, nuk i qes para jush. Por qeto punë që i kam qitë moti kohë në EULEX, këto i them edhe para jush, a po i lypni?”, deklaroi Imeri në
RTV Dukagjini.
Dëshmitar në Hagë pritet të jetë edhe Fatmir Sheholli, Drejtor për Marrëdhënie Ndëretnike. Këtë ai e kishte konfirmuar pas një debati në Klan Kosova ku u ballafaqua ashpër me analistin Vehbi Kajtazi.
Megjithatë, Sheholli në bazë të deklaratës, del se nuk e fajëson për komunikatën ku kërkohej vrasja e babait të tij.
“Ti Vehbi thua, i biri i Maliq Shehollit që UÇK-ja ia ka vra babën. A e di ti që unë jam dëshmitar në proces të...prandaj duhet me pas kujdes në këto postime. Edhe më thua u shku te Vjosa Osmani. Jam dëshmitar në Prokurori të Gjykatës Speciale për rastin e babës. Edhe ti e di çka do të ndodhë me këtë postim. Mu më ke bërë dëm, ke bo probleme. Më ke quajtur zyrtar të UDB-së. Qysh jam zyrtar i UDB-së. Cila UDB?”, tha Sheholli.
“Edhe thua e ka vra UÇK-ja, kur e ka vra? Kur e ka vra, ty po të pyeti. Të bërtas edhe fort bile. A e di ti çfarë provash kam dhanë në Prokurori për babën tem?”, ka deklaruar Fatmir Sheholli.
Procesi ndaj krerëve të UÇK-së pritet të vazhdojë pas disa ditësh, me dëshmitarë të tjerë.
