Kush është Dukagjin Nikollaj, i kërkuar nga FBI-ja, që u përfshi në tragjedinë e mbrëmshme në Prishtinë
Një i vdekur e të paktën 17 të plagosur e lënduar, katër të arrestuar, një në arrati, është bilanci i tragjedisë së mbrëmshme në qendër të Prishtinës.
I vdekur mbeti Kastriot Ramadani, nga Komuna e Drenasit, derisa të dyshuar, për të cilët po raportohet në media, e të cilët nuk janë të panjohur deri më tani janë, Andi Pajaziti i njohur me nofkën “Italiani”, si dhe Dukagjin Nikollaj, i njohur me nofkën “Duka”.
Sipas raportimeve, Pajaziti është kapur nga Policia, sepse është i plagosur dhe ndodhet në Spital, ndërsa Dukagjin Nikollaj ka arritur të shmanget dhe ndodhet në arrati.
Dukagjin Nikollaj, i njohur me nofkën “Duka”, ndodhet në arrati për përfshirje në krimin në lokalin Bon Vivant në Prishtinë. Raporton Paparaci.
Kush është Dukagjin Nikollaj?
Dukagjin Nikollaj, është i kërkuar nga FBI i dsyshuar si pjesë e bandës “Krasniqi Organization”.
#WantedWednesday Nikollaj: wanted for alleged distributing large amounts of marijuana in NY https://t.co/D6TSx6CfVs pic.twitter.com/38WKbenbTr
— FBI New York (@NewYorkFBI) June 22, 2016
I njejti ishte shok me Kastrio Ramadanin, i cili mbeti i vrarë mbrëmë.
Në Facebook, Ramadani ka disa fotografi së bashku me tashmë të kërkuarin edhe për tragjedinë e mbrëmshme.
Të dyshuarit tjerë
Të dyshuar për ngjarjen tragjike në lokalin e njohur ‘Bon Vivant’, është Andi Pajaziti, i cili ndodhet në spital dhe ndaj të njëjtit është lëshuar urdhër për ndalim, Hysni Geci dhe Gzim Zakuti, po ashtu të arrestuar.
Andi Pajaziti i njohur me nofkën “Italiani” ka mbetur i plagosur në këtë sherr.
Pajaziti, është i njohur për përfshirje në të tilla raste edhe më parë.
Hiç më larg se para tre muajëve, i njejti e kishte demoluar lokalin në fjalë, si dhe kishte sulmuar pjesëtarë të stafit.
Ai ishte i përfshirë edhe në plagosjen e rojeve në “Duplex”.
Një i vdekur
Shefi i repartit intensiv në QKUK, Shaqir Uka, ka njoftuar se njeri nga të plagosurit mbrëmë në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë ka ndërruar jetë.
Ai ka bërë me dije se i njëjti përkundër të gjithë trajtimit kirurgjik dhe terapisë intensive nuk ka arritur të iu mbijetoj plagëve të marra.
“Nga informacionet qe kam nga ekipa kujdestare e Mjekimit Intensiv, 1 pacient që ka marrë plagë nga plagosja e mbrëmshme pas intervenimit kirurgjik është sjell për trajtim të mëtutjeshëm në Mjekumin Intensiv. Pacienti në fjalë edhe përkundër të gjithë trajtimit kirurgjik dhe terapisë intensive nuk ka arritur të iu mbijetoj plagëve dhe ka ndërruar jetë në orët e hershme tē mëngjesit”, ka deklaruar Shaqiri.
I vdekur mbeti Kastriot Ramadani, nga fshati Zabel i Ulët, Komuna e Drenasit.
Të tronditur nga ky rast, në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës faqja e këtij fshati në Facebook, njoftoi për vdekjen e tij.
Ndryshe, nga ky konflikt ndërmjet qytetarëve mbrëmë, pësuan edhe të paktën 17 persona, të cilët u plagosën ose u lënduan.

Detajet e ShSKUK-së:
5 persona janë pranuar për trajtim të mëtejmë, pas ndihmës mjekësore emergjente në Klinikën Emergjente, si pasojë e lëndimeve që kanë marrë mbrëmë .
Prej tyre, 4 janë pranuar për trajtim të mëtejmë në Klinikën e Ortopedisë dhe 1 në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, të gjithë jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkaq, përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi mjekësor, një person i datëlindjes 1984, ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror.
Numri total i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ishte 17.
Prej tyre, 7 të lënduar me armë zjarri dhe 10 me mjete të mprehta.
I gjithë stafi i Klinikës Emergjente dhe klinikave të tjera kanë qenë në gjendje gatishmërie dhe kanë ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore, bashkë me drejtorin e Klinikes Emergjente, Naser Syla.
Për të ngritur gjendjen e gatishmërisë, ofruar mbështetje dhe pë t'u interesuar për të lënduarit në Klinikën Emergjente ka qenë edhe drejtori i përgjithshëm i ShSKUK, Elvir Azizi.
Çka u tha në raportin 24 orësh të Policisë?
Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra. Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati.