Kurti thotë se një ligj i Kosovës i falë krimet e Serbisë: Qe pse deklarata e kryeministrit është veç një propagandë - NACIONALE

Kurti thotë se një ligj i Kosovës i falë krimet e Serbisë: Qe pse deklarata e kryeministrit është veç një propagandë

2 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, para duarëtrokitësve të tij ka përsëritur një mashtrim të cilit i rikthehet kohëpasëkohe. Ai ka fajësuar partitë opozitare për votimin e Ligjit për Amnistinë në Kuvendin e Kosovës gjatë vitit 2013, përmes të cilit sipas tij, “u bë falja e krimeve serbe në Kosovë”. Por e vërteta është krejt ndryshe. Ligji për amnistinë në nenin 4 të tij flet për përjashtimet nga Amnistia. Pra, aty specifikohen se cilat vepra nuk amnistohen. Dhe ato vepra që nuk amnistohen janë pikërisht ato me të cilat Kurti "i ngarkon" përgjegjësit.

Cilat janë ato?

Veprat të cilat përbëjnë shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare përfshirë ato vepra penale të Kapitullit XV të Kodit Penalt të Republikës së Kosovës.

Në kapitullin XV të Kodit Penalt të atëhershëm, pra të vitit 2012, veprat që parashihen, e që s’aplikohet amnistia, janë këto: Gjenocidi, Krimet kundër njerëzimit, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të konventave të Gjenevës, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktin e armatosur ndërkombëtar, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës, Shtytja për luftë agresive ose konflikt të armatosur etj.

Pra parashihen një sërë veprash sipas këtij Kapitullit e që nuk i nënshtrohen amnistisë.

Tjetër, amnistia nuk mund të aplikohet as për vepat penale që kanë rezultuar me lëndim të rëndë trupor ose me vdekje, po sipas këtij ligji që Kurti e përmend si akuzë.

Pra, këto vepra nuk i nënshtrohen Amnistisë. Kur Kurti flet për krimet e kryera e që pretendon se janë amnistuar, në fakt ato krime nëse vërtetohen, janë të ingranuara nëpër nenet e Kodit Penal, që s’e përfshijnë amnistinë fare.

Çka tha Kurti?

“Më 11 korrik janë bërë 11 vjet prej kur prej procedurave të shpejtuara deputetët nga të gjitha partitë të cilët janë në opozitë sot, me 2/3 e votave miratuan Projektligjin për Amnisti që i fali krimet e Serbisë në Kosovë. Qeveritarët e asaj kohe e përshkruan ligjin si një akt të rëndësishëm politik, por qytetarët dhe organizatat protestuan kundër duke qëndruar ditë e natë para Kuvendit të Kosovës”, tha Kurti në Këshillin e Përgjithshëm të VV-së.

Kurti, për ta zmadhuar këtë propagandë, para bashkëpartiakëve të tij, flet se si ligji në fjalë u votua pikërisht në ditën kur po shënohej përvjetori i gjenocidit të Serbisë në Srebrenicë, derisa ka theksuar se “në Kosovë miratohej amnistia e kriminelëve dhe të strukturave që kontrollohen nga Beogradi”.

“Qeveria jonë i ka shpallur organizatat e tyre “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” organizata terroriste. Nuk ka amnisti, sepse ajo do të ishte padrejtësi ndaj viktimave dhe qytetareve. Ne konfirmojmë angazhimin tonë për drejtësi e cila është parakusht për paqe të qëndrueshme dhe për pajtim midis popujve”, tha Kryeministri.

“I bëjmë thirrje organeve tona të drejtësisë që të jenë shumë më aktive në mënyrë që plagët e hapura nga krimet ndaj popullit tonë të mbyllen me drejtësi për viktimat dhe me ndëshkim ndaj kriminelëve”.

Lajme të ngjashme