Krimi në Skënderaj: Publikohet fotografia e mërgimtarit që u vra - NACIONALE

Krimi në Skënderaj: Publikohet fotografia e mërgimtarit që u vra

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Vrasja e së shtunës në Skënderaj ka tronditur opinioni në Kosovës. Nga ky incident një person mbeti I vrarë ndërsa dy të tjerë u plagosën. Ndërkohë, media Veriu.info ka publikuar fotografinë e personit që u vra të shtunën në fshatin Baks të Skenderajt.

Sipas kësaj media, emri i viktimës është Besim Musliu. Mediat gjithashtu raportuan se 47 vjeçari ishte mërgimtar.

Sipas raporti të Policisë, dy të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajte.

“VRASJE E RËNDËFsh.Baks,Skenderaj, 23.07.2022-19:05 .Raportohet se në rrethana të panjohura janë plagosur mes veti tre meshkuj kosovarë. Dy të lënduar janë dërguar në emergjencën e Skenderajt, njëri nga ata ka ndërruar jetë, ndërsa tjetri është dërguar në QKUK, kurse i treti është dërguar fillimisht në emergjencën e Drenasit e më pas në QKUK. Nga të dyshuarit janë konfiskuar një AK 47 dhe një pushkë gjuetie. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në obduksion, ndërsa dy të dyshuar dërgohen në mbajtje.”, thuhet në raportin 24 orësh të PK-së.

Ndërkohë, i gjithë ky konflikt dyshohet se ndodhi për shkak disa problemeve që kishin pasur dy palët për pronë (mexhë) tash e disa vite, e që pas ardhjes së viktimës në atdhe, mërgimtarit Besim Musliu nga Austria, situata ka eskaluar edhe më tej.

Burime të gazetës Nacionale tregojnë se viktima dhe dorasi kishin pasur probleme për pronë, por më pas, dorasi me pretekstin se viktima është duke vozitur shpejt nëpër fshatin Baks, ka shtënë me kallashnikov në drejtim të tij.

“Pse po vozit shpejt me veturë në fshat..”, thuhet se dorasi i ka thënë viktimës.

Dorasin dhe vrasësin i ndan vetëm një mur në mes, ka treguar ky burim i Nacionales, dhe të dy kanë qenë kushërinj të afërt njëri me tjetrin.

Po ashtu, burimi i gazetës Nacionale ka konfirmuar se viktima ka ardhur para pak ditësh në Kosovë për t’i kaluar pushimet.

Ndërkohë, gazeta Nacionale ka biseduar me Dafina Bashollin, kujdestare në Klinikën Emergjente të QKUK-së, e cila ka thënë se gjendja e të plagosurve është stabile.

“Njëri është plagosur me një plumb në anën e majtë, ndërsa tjetri me dy plumba, por gjendja e tyre është stabile”, ka thënë ajo.

Rastin për gazetën Nacionale e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Mitrovicës së Jugut, Fexhrije Pllana.

“Kemi një rast për një mosmarrëveshje rreth orës 19:40, kemi tre të plagosur, një prej tyre ka ndërruar jetë, ndërsa të tjerët janë dërguar në QKUK për trajtim. Detaje të tjera rreth rastit nuk dihen ende”, ka thënë ajo.

Vlen të theksohet se po nga ky fshat, vjen edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e cila për gazetën Nacionale ka konfirmuar se viktimën nuk e ka të afërm.

“Jo, nuk kam asnjë lidhje familjare, janë të lagjes tjetër, ka koincidu me qenë të fshatit tim dhe me të njëjtin mbiemër, por nuk i kemi të familjes, e as të gjakut,” ka thënë ajo.

Gazeta Nacionale do t’ju mbajë të informuar me zhvillimet rreth këtij rasti.

Lajme të ngjashme