Kërkohet dënimi me burgim i ish ministres Dhurata Hoxha
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në fjalën përfundimtare ka kërkuar dënimin e ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, dy ish-sekretarëve të ministrisë, Demush Shasha dhe Kushtrim Cukaj, si dhe Fitim Mustafës e Nuhi Osmanit, të cilët po akuzohen për korrupsion.
Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarve ka kërkuar lirimin e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, prokurori special Dren Paca, ka bërë riformulimin jothelbësor të aktakuzës, të cilën në formë të shkruar ia dorëzoi gjykatës.
Sipas prokurorit Paca, riformulimi është i karakterit udhëzues apo sqarues, në kuptim të precizimit të akteve ligjore dhe nënligjore, respektivisht dispozitave blankete që të pandehurit i kanë shkelur, të cilat ishin pjesë e saj, e provave të aktakuzës, mirëpo tani e shohin të nevojshëm t’i theksojnë edhe në dispozitivët e saj.
Më pas, seanca e së hënës ka vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare nga ana e palëve në procedurë.
Prokurori Paca, fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, si dhe ka bërë precizimin në pjesën ku është thënë “me dënim me burgim 5 vite”, duhet të jetë “për secilin veç e veç”, ndërsa pjesa tjetër tha se mbetet e pandryshuar.
Ai ka thënë se të akuzuarit janë fajtorë dhe ka propozuar që të njëjtit të shpallen fajtorë për shkak se nga provat materiale dhe personale është provuar mjaftueshëm se të njëjtin kanë kryer veprën penale që iu vihet në barrë.
Po ashtu, prokurori Paca ka thënë se e akuzuara Hoxha, duke tejkaluar kompetencat e saj ligjore, ka iniciuar procedurën, ka përcaktuar llojin e procedurës, si dhe ka përcaktuar emrat e kompanive me të cilat duhej lidhur kontrata, ndërsa të akuzuarit Shasha, Cukaj, Osmani dhe Mustafa, e kanë mundësuar tejkalimin e kompetencave të saj.
I njëjti theksoi se nëse tolerojnë një veprim të tillë, do të krijojnë praktikë që në të ardhmen me kontrata do të mund të shpërblehen të gjithë ata që një ministër ka dëshirë t’i shpërblejë dhe do t’i mbyllin derën parimeve themelore që i garanton Ligji i Prokurimit.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarës Hoxha, avokati Florent Latifaj, ka thënë se mendimi i Gjykatës Supreme në doracak e shpjegon çështjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ku thotë se për ekzistimin e kësaj vepre penale përveç dashjes nevojitet edhe qëllimi i kryerjes, konkretisht se përmes kryerjes së kësaj vepre të përfitohet apo t’i bëhet dëm dikujt.
Sipas tij, në rastin konkret motivi për të kryer veprën penale është zero, me arsyetimin se qëllimi i këtyre njerëzve ka qenë të përfitojë ky vend.
Në fund, avokati Latifaj i ka propozuar gjykatës që të mbrojturën e tij Hoxha, ta lirojë nga akuza.