Javë speciale - lokacioni: Hagë
Në kohën kur Kosova po përballet me bllokadën politike, partitë nuk po merren vesh për emrin e kryetarit/es të Kuvendit e as formën se si të votohet, kjo javë do të ketë zhvillime tejet të rëndësishme në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Java do të fillojë sot me vendimin e Gjykatës së Apelit në Hagë për Pjetër Shalën.
Komandant ‘Ujku’ u dënua me 18 vjet për krime të luftës, dhe mbetet të shihet nëse Apeli do ta ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë, ashtu siç kishte ndodhur me rastin e Salih Mustafës.
Kurse, të mërkurën, më 16 korrik, pritet një prej vendimeve më të rëndësishme deri në këtë fazë në rastin e krerëve të UÇK-së.
Fjala është për mocionin e avokatëve për rrëzimin e disa prej akuzave ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Mbrojtja e krerëve të UÇK-së vlerësuan se disa prej akuzave të Prokurorisë nuk janë vërtetuar as përtej dyshimit të bazuar, andaj kërkuan hudhjen e tyre.
Në fakt, mocioni dhe kërkesa e tyre ende nuk është bërë publike. Megjithatë, vendimi do të shpallet seancën e së mërkurës.
Po të mërkurën, avokati i viktimave do ta paraqes rastin e tij, me dy dëshmitarë-ekspertë që pritet të dëshmojnë.
Procesi gjyqësor në rastin e krerëve të UÇK-së tashmë ka hyrë në fazën e fundit, cilido që është vendimi për rrëzimin ose jo të akuzave.
Krerët e UÇK-së patën kohë ta dorëzojnë mocionin për rrëzimin e akuzave deri më 12 qershor.
Prokuroria e Specializuar e Hagës kishte kohë të përgjigjet në mocionin e mbrojtjes deri më 7 korrik.
Gjyqtarët pritet shpall vendimin të mërkurën, më 16 korrik.
Varësisht se cili do të jetë vendimi lidhur me mocionin, pritet të vazhdojë edhe procesi gjyqësor. Megjithatë, deri atëherë, janë caktuar edhe disa data të tjera me rëndësi.
Një konferencë për ecurinë e çështjes do të mbahet të martën, më 22 korrik, në orën 14:00.
Avokati i Viktimave urdhërohet të përgatitet të ftojë dëshmitarët e tij më 16 korrik.
Mbrojtja e krerëve të UÇK-së duhet ta njoftojë Gjykatën deri më 16 korrik nëse synon të dorëzojë provat e veta.
Mbrojtja duhet të dorëzoje provat dhe listat e dëshmitarëve deri më 21 korrik.
Gjyqtarët kanë vendosur që konferencën për statusore për rastin e mbrojtjes ta shtyjnë deri më datën 19 gusht.
Rasti i mbrojtjes pritet të fillojë menjëherë pas 18 gushtit, varësisht se si përcaktohen afatet.
Konferenca përgatitore për rastin e mbrojtjes mbahet më 19 gusht.
Informacione për numrin e dëshmitarëve
20 deri në 25 dëshmitarë pritet t’i ketë mbrojtja e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Gjykatën Speciale të Hagës.
Prej tyre, rreth 15 mund të ftohen për të dëshmuar ‘live’ në gjykatë.
Në një parashtrim të cilin e ka parë gazeta Nacionale, thuhet se mbrojtja e Thaçit mund të thërrasë deri në 12 dëshmitarë që do të dëshmojnë në Gjykatë, por që edhe ky numër mund të reduktohet.
Kurse, mbrojtja e Jakup Krasniqit do të ketë 10 dëshmitarë, prej të cilëve maksimalisht pesë do të dëshmojë në Gjykatën Speciale.
Aktualisht, mbrojtja e Veselit dhe Selimit nuk kanë planifikuar të ftojnë dëshmitarë.